Shqipëria me Rrjetin më të Dobët Hekurudhor në Europë…

Shpërndaje

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, Shqipëria ka vetëm 9 metra linjë hekurudhore për 1 km², duke u renditur e fundit në Europë për densitetin e rrjetit hekurudhor. Në rajon, Serbia ka dendësinë më të lartë me 44 m/km², e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (27.4 m/km²), Kosova (22.8 m/km²) dhe Mali i Zi (18.4 m/km²). Ndërkohë, mesatarja e vendeve të BE-së është dukshëm më e lartë, me Çekinë që kryeson me 123.2 m/km².

Megjithëse Shqipëria ka mbetur prapa në investimet hekurudhore gjatë dekadave të fundit, kohët e fundit janë ndërmarrë disa iniciativa për rigjallërimin e rrjetit hekurudhor. Aktualisht po ndërtohet linja Tiranë-Durrës me financim nga BERZH, ndërsa janë hapur tenderët për linjat Vorë-Hani i Hotit dhe Rrogozhinë-Vlorë. Po ashtu, është në fazën e projektimit hekurudha Durrës-Prishtinë, ndërsa po kërkohet financim për linjën Durrës-Rrogozhinë.

Në kontrast, vendet e BE-së po avancojnë me zgjerimin e linjave të shpejtësisë së lartë. Gjatë periudhës 2013-2023, rrjeti i trenave mbi 250 km/h në Europë u rrit me 47.2%, duke arritur në 8,556 km. Spanja kryeson me 3,190 km linja të shpejtësisë së lartë, e ndjekur nga Franca dhe Gjermania.

Shpërndaje