
Kryetarja e PD Shkodër, Eliona Shkreli, ka denoncuar një skemë të dyshuar të blerjes së votave nga Partia Socialiste, e cila, sipas saj, po shpërndan koncentrat falas për bagëtitë në fshatrat e Njësive Administrative të Shkodrës. Sipas denoncimit, kjo ndihmë po shpërndahet në mënyrë të koordinuar nga kryepleqtë e fshatrave, të emëruar nga drejtuesi politik i PS, Benet Beci, me qëllim ndikimin e votës për zgjedhjet e 11 majit. Shkreli i ka bërë thirrje prokurorisë të nisë hetimet dhe të ndalojë këto praktika, të cilat i cilëson korruptive dhe të rrezikshme për integritetin e procesit zgjedhor.
Statusi i Plotë:
Partia Socialiste me në krye drejtuesin politik rilindas, Benet Becin, po vazhdojnë të tentojnë deformimin e votës duke ‘blerë’ votat përmes shpërndarjes falas të koncentratit për bagëti!
Në fshatrat e Njësive Administrative të Shkodrës ka filluar shpërndarja e koncentratit falas për bagëti të cilat shpërndahen nga kamionë pa asnjë logo, i dorëzohen kryepleqve të fshatrave të emëruar nga Benet Beci dhe pastaj kryepleqtë i shpërndajnë nëpër familje të komuniteteve që përfaqësojnë!
Pamjet e postuara janë të fshatit Kuç të Njësisë Administrative “Gur i Zi” por disa ditë më parë e njëjta skemë është aplikuar edhe në fshatrat e Njësisë Administrative “Postrribë”!
Siç shihet nga pamjet e siguruara nga banorë të zonës që kanë denoncuar rastin, rilindasit kanë filluar blerjen e votës përmes skemave skandaloze për të deformuar rezultatin e 11 majit në favor të tyre!
I bëj thirrje prokurorisë të nisë hetimet dhe të mos lejojë e të mos favorizojë partinë në pushtet, Benet Becin, kryepleqtë e fshatrave dhe funksionarë të tjerë rilindas që të deformojnë zgjedhjet e ardhshme përmes skemave korruptive të cilat nuk janë të panjohura!
I bëj thirrje Partisë Socialiste dhe të dërguarit politik Beci, të ndalojnë menjëherë aplikimin e shit-blerjes së votës sepse këtë herë nuk do ia dilni të deformoni vullnetin e shkodranëve në favorin tuaj!
Skema të tilla duhet të marrin fund….