
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Shkëlqim Sterkaj, ka qenë i pranishëm në një iftar të organizuar nga Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj. Në fjalën e tij, Sterkaj theksoi rëndësinë e Ramazanit si një kohë reflektimi, sakrifice dhe bashkimi mes njerëzve. Ai u shpreh mirënjohës për këtë mbrëmje të veçantë, duke nënvizuar vlerat e solidaritetit dhe respektit që duhet të na udhëheqin jo vetëm gjatë këtij muaji të shenjtë, por edhe në ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar.
Postimi i kandidatit Shkelqim Sterkaj:
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra, miq dhe të pranishëm të nderuar,
Është një kënaqësi dhe nder i madh për mua të isha mes jush, në këtë sofër bujarie dhe bashkimi.
Mirënjohës Kryebashkiakut Tonin Marinaj që na bëri bashkë në iftarin e shtruar prej tij. Muaji i Ramazanit nuk është vetëm një kohë e agjërimit, por edhe një periudhë reflektimi, sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit.
Sonte, në këtë iftar të bekuar, ne jo vetëm që ndamë ushqimin, por edhe vlerat që na bëjnë më të fortë si shoqëri: respektin, dashurinë për njëri-tjetrin dhe gatishmërinë për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Si kandidat për deputet, unë angazhohem që këto vlera të mos mbeten vetëm në kuadrin e një muaji, por të shndërrohen në parime mbi të cilat ndërtojmë të ardhmen tonë si komb.
Ju falënderoj nga zemra për mikpritjen dhe ju uroj një iftar të begatë!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
