
Në përmbyllje të dy lëndëve kyçe të komunikimit digjital, “Gazetari Online” dhe “Multimedia”, studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Universitetin “Luigj Gurakuqi” prezantuan projekte mbresëlënëse, të cilat treguan përgatitjen e tyre për sfidat e profesionit të gazetarisë në epokën digjitale.
Nën udhëheqjen e pedagogut Altin Mema, këto prezantime shpalosën një përkushtim të dukshëm, mendim kritik dhe ndjeshmëri ndaj realitetit mediatik. Studentët trajtuan tema aktuale si:
- Ndikimi i medias digjitale dhe asaj tradicionale në fushatat elektorale
- Roli i medias në promovimin e turizmit digjital dhe historik
- Dhuna në rrjetet sociale dhe pasojat mbi shëndetin mendor
- Etika e raportimit në epokën e lajmeve të shpejta
- Dezinformimi dhe sfidat e gazetarisë faktike
- Balanca mes së vërtetës dhe etjes për klikime në media
Këto projekte nuk ishin thjesht detyra akademike, por dëshmi e një përgatitjeje reale për tregun e punës, ku studentët pritet të kontribuojnë si gazetarë, specialistë komunikimi dhe krijues përmbajtjesh në një botë mediatike që evoluon vazhdimisht.
Fakulteti i Shkencave Shoqërore shpreh krenarinë për gjeneratat e formuara ndër vite, të cilët tashmë janë pjesë aktive e mediave kombëtare dhe lokale, institucioneve publike dhe sektorit privat.