Subvencionet në bujqësi, mbi 2500 fermerë nga qarku i Shkodrës kanë aplikuar deri më sot…

Shpërndaje

Gjatë dy javëve të para të aplikimeve në skemat mbështetëse për bujqësinë, nga qarku i Shkodrës kanë aplikuar rreth 2500 fermerë, që përfaqësojnë afro 60% të numrit të pritshëm të aplikuesve.

Çdo ditë, dhjetëra fermerë paraqiten pranë zyrave të Drejtorisë së Bujqësisë për të përfituar asistencë në procesin e aplikimit përmes portalit e-Albania.

Pjesa më e madhe e tyre kanë aplikuar në skemën mbështetëse për naftën.

“Në zonën tonë ka pasur rreth 30-40 aplikime në ditë. Interesi më i madh është tek skema e naftës, ku dhe është procedura më  vështirë dhe asistenca më  madhe që ne japim“, u shpreh, Hasije Hasmegaj  Specialiste e statistikës,  AREB Shkodër.

Nga  rreth 19 mijë fermerë që ka qarku i Shkodrës, afro 15 mijë prej tyre nuk përfshihen në këtë proces për shkak të mosplotësimit të kritereve. Sipërfaqja e kufizuar e tokës bujqësore dhe numri i pamjaftueshëm i krerëve në blegtori janë disa nga arsyet që i penalizojnë fermerët për të përfituar nga këto skema. Për të kapërcyer këto barriera, specialistët këshillojnë bashkimin në grupe të fermerëve.

“U bëj thirrje fermerëve që të bashkohen në grupe fermerësh pasi është zgjidhja më e mirë për të gjithë ata. Kjo nuk nënkupton bashkimin e pronave apo bagëtive, por thjesht për çështje dokumentacioni. Pra për një grup fermerëve aplikon vetëm njëri”, u shpreh, tha Sherif Brahaj, specialist,  AREB Shkodër.

Vitin e kaluar, nga qarku i Shkodrës aplikuan në skemat mbështetëse për bujqësinë dhe blegtorinë  rreth 4400 fermerë, prej të cilëve 3700 përfituan subvencione.

Gazetar: A.Hoti 

Shpërndaje