Tragjedi në Gaza: Një vajzë humb jetën nga uria mes bllokadës izraelite…

Shpërndaje

Një vajzë e vogël ndërroi jetë të hënën në Khan Younis, në Gazën jugore, si pasojë e urisë dhe dehidratimit, raportojnë mediat palestineze. Sipas mjekëve në Spitalin e Fëmijëve dhe Maternitetit, ajo vuante nga kequshqyerja e rëndë, pasojë e drejtpërdrejtë e rrethimit të vazhdueshëm të vendosur nga Izraeli.

Zyrtarët mjekësorë kanë paralajmëruar se mijëra fëmijë në Gaza përballen me kequshqyerje për shkak të bllokadës së rreptë që ka ndalur furnizimet esenciale si ushqimi, uji, ilaçet dhe karburanti për mbi 100 ditë.

Bassam Zaqout, drejtor i ndihmës mjekësore në jug të Gazës, ka deklaruar se situata është aq e rëndë, sa Gaza është shndërruar në një “vend vdekjeje”, ku uria ka prekur 100% të popullsisë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi më 28 maj se të paktën 60 fëmijë kanë humbur jetën nga kequshqyerja. Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar planin për krijimin e katër pikave të shpërndarjes së ndihmave në jug dhe qendër të Gazës, të cilat sipas mediave izraelite, synojnë të lehtësojnë evakuimin nga veriu.

Ky plan është kundërshtuar nga OKB-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, pasi shihet si përpjekje për të anashkaluar shpërndarjen përmes kanaleve zyrtare ndërkombëtare.

Që prej 2 marsit, të gjitha kalimet kufitare janë mbyllur, duke bllokuar hyrjen e ndihmave për 2.4 milionë banorë. Ndërkohë, ofensiva izraelite që nga tetori 2023 ka shkaktuar vdekjen e afro 55.000 palestinezëve, shumica gra dhe fëmijë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Gallant, për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Shpërndaje