
Prokuroria e Shkodrës kërkon dënimin me 6 vite burgim për Erdgys Arrazin, bashkëshortin e Alma Arrazit e cila u hodh nga ura mbi Lumin e Bunës bashkë me 3 fëmijët e mitur, duke shkaktuar një tragjedi të tmerrshme. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi për Arrazin reduktohet në 4 vite burgim. Ndaj tij rëndojnë dyshimet për akuzën e
“shkaktimit të vetëvrasjes” në dëm të bashkëshortes së tij, Alma Arrazi. Nga hetimet ka rezultuar se Erdgys Arrazi ka shtyrë Almën drejt aktit të vetëflijimit për shkak të sjelljes diskredituese, që ka cënuar dinjitetin e saj.
Lidhur me 3 fëmijët, është regjistruar vrasja për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, por për shkak se autorja e dyshuar e krimit, Alma Arrazi ka vdekur, është pushuar çështje. 39-vjeçarja Arrazi u hodh nga ura e Lumit të Bunës bashkë me 3 fëmijët e mitur, pak minuta pasi ishte ndarë nga kunata e saj. Pas ngjarjes tragjedike, policia vuri në pranga Erdgys Arrazin, i cili pret tashmë verdiktin e drejtësisë.