Ushtria izraelite vret 20 palestinezë të tjerë në pikën e shpërndarjes së ndihmave në Gaza…

Shpërndaje

Ushtria izraelite ka vrarë sot 20 palestinezë pranë një pike shpërndarjeje ndihmash në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, sipas raportimeve nga agjencia zyrtare palestineze Wafa që citon burime mjekësore. Dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur në të njëjtin incident, i ndodhur në zonën e njohur si Korridori Netzarim.

Që nga 27 maji, kur Izraeli nisi një mekanizëm të ri për shpërndarjen e ndihmave, mbi 160 palestinezë që përpiqeshin të merrnin ndihma janë vrarë, sipas autoriteteve lokale në Gaza. Ky mekanizëm është kritikuar gjerësisht nga organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në.

Në një tjetër sulm gjatë ditës, katër palestinezë të tjerë humbën jetën pas një goditjeje me dron në një tendë të zhvendosurish në zonën Al-Mawasi, afër Khan Younis në jug të Gazës.

Që prej tetorit 2023, ofensiva izraelite në Gaza ka lënë të vrarë afro 55.000 palestinezë, ku shumica janë gra dhe fëmijë, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim që Tel Avivi i ka refuzuar.

Shpërndaje