Viva Fresh Store blen Spar Albania…

Shpërndaje

Kompania nga Kosova, Viva Fresh Store, njoftoi të enjten se ka arritur një marrëveshje për blerjen e Spar Albania nga grupi shqiptar Balfin.

Sipas njoftimit publik të Viva Fresh, ky investim synon të rrisë praninë e grupit në tregun shqiptar dhe të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e të dyja vendeve, duke krijuar vende të reja pune, duke fuqizuar prodhuesit vendas dhe duke modernizuar industrinë e shitjeve me pakicë. Vlera e transaksionit nuk është bërë publike.

Viva Fresh Store zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni nga Kosova, Xhevdet Rexhepi. Rrjeti është i pranishëm në aktivitetin e shitjeve me pakicë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet markave Viva Fresh Store dhe Super Kit Go.Vitin e kaluar, Rexhepi bleu nëpërmjet kompanisë së tij SMA Holding edhe Top Shop (Studio Moderna), kompaninë më të hershme të shitjeve nëpërmjet kanaleve elektronike (kryesisht televizionit) në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Deri në vitin 2023, Spar Albania ishte kompania më e madhe në tregun e shitjeve me pakicë për nga xhiroja e realizuar. Spar Albania raportoi një xhiro prej 10.7 miliardë lekësh, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Fitimi para tatimit arriti në 406 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 62%.

Ndërkohë, në klasifikimin si franchise (duke përfshirë edhe xhiron e kompanive që përdorin më të njëjtën markë, por që kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga palë të tjera) Spar vlerësohet të jetë rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në Shqipëri, pas Big Market.  Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, kishte të ardhura të konsoliduara sipas të dhënave zyrtare, rreth 26.6 miliardë lekë në 2023-n, dhe fitime prej 1.5 miliardë lekësh.

Duke përfshirë të gjithë rrjetin e franchise, të ardhurat e konsoliduara të Spar Albania arritën në 18.8 miliardë lekë, në rritje vjetore me 16%. Ndërsa fitimi para tatimit i rrjetit ishte 890 milionë lekë, 37% më shumë krahasuar me 2022. Norma e fitimit nga xhiroja për të gjithë rrjetin Spar Albania arriti në 4.7%, nga 4% një vit më parë.

Shpërndaje