
Vllaznia ka siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë pas një ndeshjeje dramatike kundër Elbasanit. Pas barazimit pa gola në sfidën e parë, shkodranët morën epërsinë falë një autogoli të Lilës në minutën e 14-të, por Elbasani reagoi shpejt me golin e Lajthias në minutën e 26-të. Në pjesën e dytë, i njëjti lojtar shënoi sërish, duke përmbysur rezultatin, por Gurishta barazoi në minutën e 57-të, duke rikthyer ekuilibrin.
Minutat e fundit sollën edhe më shumë emocione, me Krymin që shënoi për Vllazninë dhe Olberkis që barazoi për Elbasanin, duke e çuar sfidën në kohën shtesë. Megjithëse të dyja skuadrat patën raste për të shënuar, rrjetat nuk u tundën më, duke bërë që fituesi të përcaktohej nga penalltitë.
Nga pika e bardhë, Vllaznia u tregua më e saktë, duke siguruar kështu kualifikimin në gjysmëfinale. Me këtë fitore dramatike, shkodranët mbeten në garë për trofeun, ndërsa Elbasani largohet me kokën lart pas një paraqitjeje dinjitoze./RealitetiPost/
