Vllaznia kampione për të 12-tën herë në futbollin e femrave…

Shpërndaje

Futbolli i femrave në Shqipëri vazhdon të dominohet nga një emër i vetëm: Vllaznia. Mbrëmjen e sotme, skuadra shkodrane u shpall për të 12-tën herë kampione e vendit, duke vulosur supremacinë në këtë kategori.

Në finalen e kampionatit, e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave” në Tiranë, Vllaznia mposhti Partizanin me rezultatin 2-0. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndonëse shkodranet krijuan disa raste të pastra.

Në fraksionin e dytë, skenën e mori Bajraktari e cila zhbllokoi takimin, ndërsa Megi Doçi vulosi fitoren me golin e dytë.

Pas ndeshjes, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përgëzoi Vllazninë për titullin kampion dhe uroi që ekipi të ketë një paraqitje të denjë në UEFA Women’s Champions League. Ai gjithashtu vlerësoi Partizanin për renditjen në vendin e dytë, që i siguron pjesëmarrjen në kualifikueset e UEFA Women’s Europa Cup.

Duka theksoi se rritja e nivelit të futbollit të femrave është ndër prioritetet e federatës, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët të të gjitha klubeve.

Shpërndaje