
Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e “UEFA Conference League”, KF Vllaznia ka planifikuar zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore në stadiumin “Loro Boriçi”, para se të spostohet jashtë vendit për fazën më intensive të stërvitjes.
Miqësorja e parë do të luhet më 14 qershor ndaj ekipit Vllaznia Elite, që funksionon në Milano dhe është i përbërë kryesisht nga futbollistë shqiptarë. Kjo përballje do të jetë një mundësi e mirë për të parë në veprim disa elementë të rinj dhe për të testuar gjendjen aktuale të skuadrës.
Ndërsa më 21 qershor, kuqeblutë do të përballen me ekipin e Deçiqit të Tuzit, fituesi i fundit i Kupës së Malit të Zi, një kundërshtar me nivel konkurrues që pritet të sjellë një test të vlefshëm për skuadrën shkodrane.
Të dyja këto ndeshje do t’i shërbejnë stafit teknik për të kolauduar skuadrën dhe për të përcaktuar formacionin më të mirë në prag të sfidave zyrtare europiane./RealitetiPost/