Vllaznia përballet me probleme në mbrojtje, rikthimi i Juriç një opsion për fundin e sezonit…

Shpërndaje

Gjatë këtij sezoni, Vllaznia është përballur me vështirësi të mëdha në repartin mbrojtës, duke u bërë një nga skuadrat më të ndëshkuara në Superiore. Përveç luhatjeve në performancë, dëmtimet e shumta kanë ndikuar ndjeshëm në stabilitetin e skuadrës. Pothuajse të gjithë mbrojtësit shkodranë kanë pasur periudha mungese, dhe së fundmi, Serjan Repaj, i afruar në merkaton e janarit, ende nuk ka pasur mundësi të tregojë potencialin e tij.

Megjithatë, në javët e fundit të kampionatit, Vllaznia mund të përfitojë nga një rikthim i papritur. Bëhet fjalë për kroatin Marko Juriç, i cili ishte lënë jashtë planeve të ekipit që nga dhjetori i vitit të kaluar.

29-vjeçari është parë duke u angazhuar intensivisht në stërvitje, duke shfaqur një formë të mirë fizike. Kjo mund ta kthejë atë në një opsion të vlefshëm për fundin e sezonit, sidomos duke marrë parasysh mungesat në prapavijë. Juriç nuk ka luajtur në një ndeshje zyrtare për Vllazninë prej më shumë se katër muajsh, me paraqitjen e tij të fundit që daton më 4 dhjetor 2024, në humbjen 2-3 ndaj Dinamos./RealitetiPost/

Shpërndaje