Vllaznia U-19 siguron kualifikimin në Eagle Cup, spikat Brahimi…

Shpërndaje

Në Shqipëri po zhvillohet për herë të parë turneu ndërkombëtar “Eagle Cup 2025”, një kompeticion prestigjioz për grupmoshat e reja që ka mbledhur 12 ekipe pjesëmarrëse nga vende të ndryshme, përfshirë skuadra nga Italia, Kosova, Nigeria dhe Shqipëria. Turneu po zhvillohet në disa qytete të vendit dhe synon promovimin e talenteve të rinj në një skenë më të gjerë ndërkombëtare.

Një ndër skuadrat që ka tërhequr vëmendjen në këtë edicion është Vllaznia U-19, e cila ka arritur të sigurojë kualifikimin për në fazën tjetër të turneut, pas dy ndeshjesh me rivalë të fortë. Fillimisht, shkodranët u përballën me ekipin italian Atalanta BC, ku pavarësisht lojës së mirë, u mundën me rezultatin minimal 1-0.

Megjithatë, në ndeshjen e dytë, të zhvilluar ditën e sotme ndaj Teutës së Durrësit, Vllaznia U-19 tregoi forcën dhe karakterin e saj, duke fituar me një rezultat bindës 3-0. Kjo fitore i siguroi automatikisht kualifikimin në fazën tjetër të turneut.

Një nga lojtarët më të dalluar në të dyja ndeshjet ka qenë Amir Brahimi, talenti i ekipit të parë të Vllaznisë, i cili është grumbulluar me ekipin U-19 për këtë turne. Brahimi spikati me lojën e tij dhe me kontributin konkret në fushë, ku në sfidën ndaj Teutës realizoi edhe golin e dytë për skuadrën, një gol kyç që i dha siguri dhe avantazh ekipit drejt kualifikimit.

Kjo paraqitje është një tregues i qartë i potencialit të të rinjve të Vllaznisë dhe kontributi i lojtarëve si Brahimi konfirmon edhe një herë se akademia shkodrane vazhdon të prodhojë talente për të ardhmen e klubit dhe futbollit shqiptar në përgjithësi.

Shpërndaje