
Natyra duket se ka fituar zemrat e turistëve gjatë vitit që lamë. Vizitorët në zonat e mbrojtura u rritën në janar-nëntor 2024 me 21 për qind sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura duke treguar për një ecuri pozitive të turizmit natyror në vend.
Ndërkohë vetëm gjatë muajit nëntor të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, tregojnë se ka pasur rreth 314,296 vizitorë vendas dhe të huaj, apo 34 % më shumë se muaji Nëntor të vitit 2023.
“Numrin më të madh të vizitorëve e kanë pasur zonat e mbrojtura të qarkut Korçë, Shkodër dhe Fier. Rritjen më të madhe të vizitorëve në këtë muaj e ka pasur vizitorët në zonat e mbrojtura atë Qarkut Elbasan. Më poshtë gjeni tabelën e vizitorëve gjatë periudhës 11 mujore në të gjitha zonat e mbrojtura, të grupuara sipas qarqeve” thuhet në përmbledhjen e ministrisë së Turizmit që i referohet raportimeve të AKZM.
Sa i takon pikave më të frekuentuara kjo ka ndryshuar përgjatë vitit por të paktën për vjeshtën duket se kryesimin e mbajnë Alpet. Konkretisht gjatë nëntorit Alpet e Shqipërisë që zënë 35 % të numrit të vizitorëve në total të vizitorëve në parqe për këtë muaj, të dytët janë Divjakë Karavasta, e cila është vizituar nga 18% të totalit të vizitorëve që kanë vizituar Parqet Kombëtare në këtë muaj.
Në Monumentet e Natyrës, numrin më të madh të vizitorëve për nëntorin e ka Shpella e Shënandoit e vizituar nga 20,6% e vizitorëve që kanë vizituar Monumentet e Natyrës, e ndjekur nga Ujërat Termale të Bënjës e vizituar nga 16,4% e totalit të vizitorëve).
Nga Rezervatet Natyrore të Menaxhuara numrin më të madh të vizitorëve e ka rezervati natyror i Qafështamës, i vizituar nga 24% e vizitorëve që kanë vizituar këto Rezervate natyrore të menaxhuara, e ndjekur nga Kune Vain Ishëm Patok (17,9%).