6 raste të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike, Policia e Shkodres procedon penalisht 8 shtetas…

DVP Shkodër Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, kontrolle në terren, për evidentimin e rasteve të lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike dhe për vënien e autorëve të këtyre rasteve, përpara përgjegjësisë penale.

Evidentohen në një pallat në Dobraç, 6 raste të lidhjes së paligjshme të enegjisë elektrike. Procedohen penalisht për vjedhje të energjisë elektrike, 6 shtetas, banorë të pallatit që ndodhej në afërsi të kabinës së energjisë elektrike.

Procedohen penalisht edhe 2 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre. Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e rasteve të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjena informative, kanë ushtruar kontrolle në terren, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së.

Si rezultat i kontrolleve, në një pallat në Dobraç, janë evidentuar 6 raste të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike. Për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, për shtetasit: R. R., 54 vjeçe, F. A.(T.), 41 vjeçe, H. T., 65 vjeç, F. L., 38 vjeç, A. N., 64 vjeç dhe B. H., 36 vjeç, të gjithë banues në Dobraç, Shkodër.

Nga verifikimet ka rezultuar se banesat e këtyre shtetasve furnizoheshin me energjie elektrike, në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 2 punonjës të OSHEE-së, shtetasit A. G., 41 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë shef ekipi dhe E. S., 34 vjeç, banues në Shkodër, lexues i aparateve, pasi dyshohet se kanë patur dijeni për furnizimin me energji elektrike të këtyre banesave, pa kontratë me OSHEE-në. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.