77 vota pro “emigrantëve”, tërhiqet drafti për Amnistinë Penale, PS nuk siguron dot 84 vota…

Mes zhurmuesve dhe kaosit opozitar, mazhoranca socialiste miratoi tre projektligje në seancën e sotme parlamentare e cila zgjati jo më shumë se 8 minuta.

Duke marrë edhe mbështetjen e tre deputetëve të PDIU, me 77 vota pro, i’u dha drita jeshile marrëveshjes për emigrantët me Italinë si dhe programit të shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore.

Projektligji “Për zonat e mbrojtura” u miratua me 74 vota ndërsa ligji për amnistinë penale u hoq nga rendi i ditës pasi kërkon 84 vota për miratim.

Një ditë më parë, Lulzim Basha pohoi se deputetët e grupit të tij nuk do të ishin të pranishëm nëse nuk merreshin në konsideratë për këtë çështje edhe amendamentet e tyre. Po ashtu Basha kërkoi lirimin e protestuesve të opozitës që u arrestuan nga policia, gjatë protestës.

Marrëveshja Shqipëri-Itali

Më 6 nëntor në Romë, krerët e dy qeverive, asaj shqiptare dhe italiane, Rama dhe Meloni firmosën një Protokoll për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit. Qëllimi i marrëveshjes është ngritja e një kampi refugjatësh në Lezhë, ku Italia të dërgojë 36,000 emigrantë të paligjshëm në vit. Aty emigrantët do të presin përgjigjet e aplikimit për azil. Marrëveshja kërkon që 3000 emigrantët që priten në një muaj, të jenë të gjithë burra.