Situata në Superiore/ Fidel Ylli-Ligës: Bojkoti pengon marrëveshjen, Rama dakord për kërkesat

Shpërndaje

Liga Profesioniste e Futbollit e ka marrë një përgjigje nga deputeti Fidel Ylli, i ngarkuar nga kryeministri Edi Rama për të zgjidhur ngërçin e futbollit me qeverinë, krijuar për shkak të një Ligji Sponsorizimi që në komunitetin e futbollit e konsiderojnë si të pavlefshëm dhe që nuk prodhon asnjë qindarkë për klubet e futbollit.

Prej gati dy muajsh 10 klubet e Superiores janë bërë bashkë dhe kanë bojkotuar kampionatin, ndërkohë që së fundmi pati bisedime mes Ligës Profesioniste të Futbollit dhe Ministrisë së Financave, ndërkohë që në takime ishte edhe deputeti Ylli. Javën e shkuar madje pati edhe një takim Rama-Duka dhe është premtuar plotësimi i kërkesave.

Në përgjigjen që Ylli i kthen Ligës kërkohet që të nisë kampionati, ndërkohë nga ana tjetër theksohet se kryeministri i vendit parimisht është dakord për kërkesat e klubeve (TVSH 6 për qind, Ligj tjetër sponsorizimi, falje gjobash dhe kamatash për detyrimet tatimore dhe zerim të tatimit mbi burim deri në formalizimin e klubeve të futbollit).

Gjithsesi ka ende fjalë dhe asnjë zgjidhje konkrete. Më poshtë letra që Ylli i drejton Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Profesioniste të Futbollit. “I nderuar zoti Kadia, në përgjigje të shkresës tuaj me nr prot 007 datë 26.10.2020, në cilësinë e negociatorit të caktuar nga Kryeministri, ju bej me dije se:

Se pari, duke vlerësuar bashkëpunimin tuaj në këtë proces dialogu, ndonëse me një vonese të panevojshme, është pozitiv fakti që u mirëkuptua nga ana juaj fakti se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve është pikërisht dialogu, jo qëndrimet në llogore dhe ultimatumet ndaj qeverisë.

Në këtë kontekst e gjej të pavend vendosjen serish të një afati nga ju në shkresën e sipërcituar, pasi kjo as nuk e shpejton zgjidhjen dhe as nuk i shërben klimës së dialogut të vendosur së fundmi ndërmjet palëve. Qeveria dhe kryeministri e kanë bërë të qartë më shume se në një rast, që nuk negociojnë nën presionin e afateve apo kushteve të vendosura nga pale të tjera.

Së dyti, nga ana ime si negociator, së bashku me grupin e punës të përbërë nga Ministrja e Financave dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, e kemi kryer detyrën tonë në mirëbesim të plote dhe Kryeministri i ka në tryezë të 4 opsionet përkatëse për realizimin e mundshëm të 4 kërkesave tuaja.

Kam kënaqësinë t’ju komunikoj se për të 4 kërkesat e parashtruara nga Liga Profesioniste e Futbollit, ka një mirëkuptim në parim nga Kryeministri, i cili për hir të së vërtetës ka qenë në vazhdimësi mbështetës i sportit dhe veçanërisht të futbollit, si asnjë nga paraardhësit e tij.

Së fundi, duke qenë besimplotë në zgjidhjen konkrete të kërkesave tuaja, ju ftoj miqësisht të mos e vononi këtë proces me bojkotin tuaj, pasi bojkoti mbetet një kushtëzim i papranueshëm për finalizimin e dialogut. Në vijim të qëndrimit tim të konsoliduar, ju sugjeroj që të rifilloni aktivitetin sportiv, pasi çdo ditë e humbur është në dëm të sportit dhe në dem të zgjidhjeve për të cilat kemi bashkëpunuar kaq seriozisht javët e fundit”. /abcnews.al

Shpërndaje