Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten vendimin e lënies në fuqi të vendimarjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit Shkodër, Astrit Kalaja. Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Rezarta Schuetz sqaroi se vendimi për konfirmimin e Kalasë është marrë me shumicë votash.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi gjyqtarin Kalaja më 20 dhjetor të vitit 2019 me votat e kryesuesit të trupës Olsi Komici dhe relatorit Lulzim Hamitaj. Ndërsa anëtarja Brunilda Bekteshi votoi kundër.
Ashtu si në ankim, edhe gjatë parashtrimeve të martën më 25 janar, Komisioneri Publik Florian Ballhysa argumentoi se gjyqtari Kalaja ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 109,5 m2 në Shkodër, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë ku gjendet dhe një ndërtim informal përdhes 60 m2.
Për blerjen e apartamentit në vitin 2009 Kalaja ka deklaruar si burim një kredi bankare prej 3 milionë lekësh, e garantuar fillimisht me hipotekën e një apartamenti të mëparshëm, por e zëvendësuar me një depozitë prej 3.3 milionë lekësh të ofruar nga shtetasi R.P..
Komsioneri Ballhysa e konsideroi si hua garancinë e vendosur prej R.P. në shumën 3.3 milionë lekë dhe vlerësoi se subjekti kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm, ndërsa Kalaja pretendoi se provat dhe faktet vërtetonin se qëllimi i vetëm i depozitimit të shumës 3.3 milionë lekë ishte garantimi i kredisë.
Ballhysa konstatoi pamundësi të subjektit për pagesën e çmimit të apartamentit dhe për blerjen e tokës, duke evidentuar si shkak pasaktësitë në deklarimet e likujditeteve në vite. Gjyqtari Kalaja deklaroi se pasaktësitë ishin gabime njerëzore, ndërsa theksoi se ishte provuar qw kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për blerjen e pasurive.
Në përfundim të shqyrtimit, trupi gjykues i Kolegjit i konsideroi të drejta konkluzionet e KPK dhe e rrëzoi si të pabazuar ankimin e Ballhysës.
“Trupi gjykues arriti në konkluzionin se shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik lidhur me apartamentin me sipërfaqe 109.5 m2 në Shkodër dhe pasurinë tokë arë me sipërfaqe 379 m2 në Pulaj Plazh ku egziston dhe ndërtimi 60 m2, nuk bazohen në faktet juridike të vërtetuara nga gjykimi i kësaj çështje dhe zbatimi i ligjit”, deklaroi kryesuesja Schuetz dhe shtoi se Kalaja ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë.
Sipas KPA, bazuar në hetimin e kryer nga KPK, gjyqtari Astrit Kalaja ka arritur nivel të besueshëm dhe për pastërtinë e figurës dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.