Kryebashkiakët do të jenë tashmë nën lupën e perfektit të qarkut. Qeveria ka hedhur për konsultim ndryshimet ligjore, “Për prefektin e qarkut” të cilat synojnë të shtojnë monitorimin te drejtuesit vendor duke i dhënë më shumë kompetenca prefektit të qarkut. Në projektligj thuhet se prefekti do të ketë të drejtë të propozoj pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë, pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. Madje prefektët do të kenë detyrë të monitorojnë zbatimin e projekteve apo programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afatave dhe cilësisë së tyre.
Në draft parashikohet ndër të tjera se drejtori i policisë vendore do të zhvillojë takime të përbashkëta dhe do të informojë çdo 10 ditë Prefektin e qarkut mbi shkallën e zbatimit të masave për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në nivel qarku. Prefekti i qarkut bashkërendon punën me strukturat e mbrojtjes dhe organet e vetëqeverisjes vendore në qark, për realizimin e detyrave në fushën e mbrojtjes civile.
Në ndryshimet ligjore është parashikuar edhe thirrja e ekspertëve të jashtëm në fushat për të cilat nevojitet ekspertiza, si dhe mbikëqyrja e këtij shërbimi nga nënprefekti, përmes fondeve të veçanta në buxhet. Ndryshimet e kompetencave të Prefektit të Qarkut Referuar synojnë të forcojnë rolin e prefektit të qarkut, për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve.