Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka biseduar virtualisht sot me kryetaren e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademin. Ky komunikim i diplomates amerikane në Shqipëri me të parën e Shkodrës vjen pas shtimit të rasteve me COVID-19 në këtë qark.
Me një shënim në “Facebook”, zonja Kim thekson se ka falënderuar kryebashkiaken e Shkodrës për masat që ka ndërmarrë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve në këtë pandemi globale. Ajo garantoi mbështetjen për bashkinë e Shkodrës,ndërsa shtoi se shumë shpejt do ta vizitojë personalisht kryeqendrën e veriut.
“Kënaqësi që takova (virtualisht) Voltana Ademin. Ju falenderoj që keni marrë të gjitha masat për t’i mbajtur qytetarët e Shkodrës të sigurtë & të shëndetshëm. Pres t’ju vizitoj nga afër sa më shpejt të jetë e mundur, por për momentin, të gjithë le të #rrimeneshtepi.” Ambasadorja Yuri Kim”, shkruan ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Ditën e djeshme në Shkodër ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ftoi palët të lënë ndasitë dhe të punojnë për shkëputjen e zinxhirit të infeksionit COVID-19.
“Dua të ftoj qytetarët që të jenë bashkëpunues në këtë proces. Askush nuk duhet të ndihet fajtor për të bërë teste apo për t’iu nënshtruar karantinimit. Nuk është turp të kesh Covid, por turp është t’ua transmetosh të tjerëve. Besoj se jemi në rrugën e duhur të përmirësimit të situatës. Shpresojmë që duke filluar nga sot edhe në qarkun e Shkodrës, i cili padyshim është një qark shumë i ekspozuar nga tre pikat kufitare, të cilat vazdhojnë të jenë aktive për mjaft shërbime të ndryshme, por edhe për arsye të tjera. Shpresoj dhe besoj shumë tek qytetaria dhe përgjegjshmëria shkodrane dhe te bashkëpunimi i tyre me autoritetet vendore”, tha Meta.