Aksionet e KF Tiranës dalin në ankand, shkak borxhet!…

66% të aksioneve të klubit të Tiranës, që zotërohen nga familja Halili, kanë dalë në shitje. Shoqëria përmbaruese që më herët kishte vendosur sekuestron konservative të aksioneve ka njoftuar hapjen e ankandit për shitjen e aksioneve të klubit, ofertat për të cilat mund të paraqiten deri ditën e hënë më 22 prill.

Ankandi i 66% të aksioneve të Tiranës nis për rreth 161 milionë lekë, ose afërsisht 1.6 milionë euro. Një shumë që vërtitet rreth borxhit që është përfolur më herët për klubin e Tiranës që i detyrohet kreditorit Abedin Treza, i cili njihet ndryshe edhe me mbiemrin Preza.

Për Report TV shoqëria përmbaruese ‘Albase Sh.p.k konfirmoi lajmin e nxjerrjes në shitje të aksioneve, ndërsa gjithashtu bëri të ditur se deri më tani nuk ka pasur asnjë të interesuar për blerjen e aksioneve përveç kreditorit Preza.

Familja Halili, me president Refik Halilin, mori zotërimin e aksioneve në vitin 2014, ndërsa pjesa tjetër prej 34% zotërohet nga bashkia e Tiranës.  Përveç problemeve me Prezën, KF Tirana vitet e fundit ka humbur edhe disa gjyqe me palë të tjera të treta si futbollistë apo trajnerë, pasi u detyrohet paga të prapambetura.

Gjithashtu pak ditë më parë komisioni i disiplinës paralajmëroi klubin e Tiranës të shlyente trajnerin Orges Shehi, pasi në të kundërt rrezikon zbritje pikësh. Gjithashtu për këto situata Tirana e ka merkaton e bllokuar deri në verën e vitit 2025.