Ambasadori palestinez në OKB: 3.000 fëmijë në Gaza të vrarë nga Izraeli që nga 7 tetori…

Rreth 3.000 fëmijë janë vrarë nga Izraeli në sulmet që i filloi nga 7 tetori, tha sot i dërguari i Palestinës në OKB.

“E përsëris, 3.000 fëmijë, fëmijë të pafajshëm, engjëj të vrarë në Gaza gjatë tri javëve të fundit”, tha Riyad Mansour në një fjalim emocionues në një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi konfliktin Izrael-Palestinë.

“Nuk ka kohë për të vajtuar, vdekje të tjera janë afër”, paralajmëroi Mansour.

Mansour tha se 7.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, duke theksuar se plotësisht 70 për qind e të gjithë të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

“A është kjo lufta që disa prej jush po e mbrojnë? Këto janë krime. Ky është barbarizëm. Nëse nuk e ndaloni atë për të gjithë ata që u vranë, ndaloni atë për të gjithë ata, jetët e të cilëve ne ende mund t’i shpëtojmë”, tha ai.

Rreth 1.600 palestinezë ende janë nën rrënoja, të vrarë ose të plagosur dhe askush nuk mund t’i arrijë ata, për t’i shpëtuar ose për t’i varrosur, tha ai.

Ambasadori gjithashtu tha se Izraeli ka shkatërruar mbi 40 për qind të të gjitha shtëpive në Gaza, duke bërë të pastrehë një popullsi të tërë dhe duke zhvendosur 1,4 milion njerëz, me shpresën për t’i transferuar me forcë jashtë territorit.

Mansour citoi gjithashtu komentet e ministrit të Jashtëm izraelit Eli Cohen në Këshillin e Sigurimit që bënte thirrje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, duke thënë: “Sillini ata në shtëpi”.

“Për miliona palestinezë, nuk ka shtëpi ku të kthehen. Për mijëra, nuk ka mbetur asnjë familje për ta përqafuar. Jo nga një akt i Zotit, por nga aktet e një qeverie të përfaqësuar këtu”, tha Mansour.

“Hakmarrja ka vdekur dhe e vetmja rrugë përpara është drejtësia”, shtoi ai.

Konflikti në Gaza filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i shumëfishtë i befasishëm më 7 tetor me lëshime raketash dhe infiltrime në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pandalshëm në Rripin e Gazës.

2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, dhe autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.