Arratisja në tentativë e alpinistit shkodran/ Vuko Brajoviç: Ika prej orës së mësimit, eca me këmbë nga mali i Taraboshit…

Në prillin e vitit 1982 në Shkodër u hap fjala se një alpinist do të arratisej drejt ish-Jugosllavisë me këmbë nga mali i Taraboshit. Bëhet fjalë për Vuko Brajoviç 58 vjeç nga fshati Grilë i Malësisë së Madhe,  i cili në atë kohë ishte pjesë e ekipit të Vllaznisë në alpinizëm.

Vetëm 18 vjeç, maturant në shkollën profesionale “Kolë Indromeno”, për një moment vendos të largohet nga ora e mësimit dhe të niset në këmbë për një ëndërr e cila iu pre në mes, sepse tentativa për t’u arratisur dështoi sapo mbërriti në klonin e fshatit Zogaj duke u ndeshur me patrullën e ushtrisë.

Më 3 shtator 1982, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e deklaroi fajtor për “tradhëti ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit të mbetur në tentativë”, dhe e dënoi me dhjetë vjet heqje lirie.

Vuko Brajovic jeton me familjen e tij jashtë vendit prej afro tre dekadash, dhe ai sot është rikthyer në Shkodër për të kaluar me të afërmit e miqtë festat e fundvitit.