Arrestohet 30 vjeçari në Muriqan, iu gjetën në automjet lëndë narkotike…

Muriqan/Kontrolle intensive nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Vihet në pranga një 30-vjeçar (shtetas malazez), pasi në dalje të RSh-së, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, iu gjetën sasi lëndësh të dyshuara narkotike kanabis dhe amphetamine.

Sekuestrohen sasitë e lëndëve të dyshuara narkotike, automjeti dhe celulari i 30-vjeçarit.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Në këtë PKK, në dalje, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll një automjet tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin malazez N. B., në të cilin u gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kanabis dhe amphetamine.

Sasitë e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e shtetasit N. B.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi malazez N. B., 30 vjeç, banues në Bar, Mal i Zi, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.