Arrestohet në Spanjë Lulzim Berisha…

Share your love

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u arrestua në Alicante të Spanjës dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri, deklaroi Policia e Shtetit përmes një njoftimi të enjten. Berisha ishte në kërkim prej dy vitesh nga drejtësia shqiptare dhe konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë.

Berisha u arrestua gjatë operacionit të koduar “Sant Joan”, i cili sipas Policisë u realizua falë  informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore dhe shkëmbimit të tyre në kohë me policinë spanjolle.

“Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri,” deklaroi policia. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla e përgëzoi policinë përmes një statusi në Facebook, duke shtuar se “pandëshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujto që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet”.

Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016 dhe fitoi lirinë me kusht nga Gjykata e Apelit të Durrësit, edhe falë mbështetjes së ish-kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili i dha gjykatës garanci se Berisha do të punësohej në Bashkinë e Durrësit, nëse ai nuk gjente punë në sektorin privat.

Ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit 2021, duke e rikthyer Berishën në listën e personave të kërkuar. Në dhjetor 2020, SPAK e akuzoi Berishën dhe kunatin e tij edhe për vrasjen e Vajdin Lamajt, por tre vjet më vonë, prokurorët kërkuan pushimin e akuzave në gjykatë për mungesë provash.

Share your love