Auditim banesave dhe pallateve mbi 50 vjet/ Belinda Balluku: Si do veprohet me këtë proces…

Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku u pyet se cili do jetë hapi që do ndërmarrë qeveria për auditimin e banesave dhe pallateve, që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar.

Ajo theksoi se ky proces do të nisë nga Instituti i Ndërtimit, do të nxirren të dhëna dhe ato banesa të cilat nuk përmbushin kushtet e sigurisë për jetës, sigurish që do të prishen.

Ministrja tha se ky proces nuk do të bëhet në mënyrë arbitrare, por në konsultim të ngushtë me pronarët e banesave.

“Para së gjithash, të përgëzoj për formulimin e saktë, që do ketë një skanim të ndërtesave që kanë mbi 50 vite. Ne duam për të qenë të sigurë, se çfarë do të ndodhë në të ardhme. Shqipëria është një vend me sizmologji komplekse, jo të thjeshtë.

Ne na duhen t’u paraprijmë proceseve, e kemi bërë fillimisht me urat.  Janë punë shumë të mira që kemi bërë. Janë punë kërkimore parandaluese, të njëjtën gjë do bëjë Instituti i ndërtimit me banesat që kanë mbi 50 vite. Disa prej tyre mund të përmbushin kushtet për demolim (prishje) dhe për ngritjen e një ndërtese të re.

Askush nuk do marrë vendim arbitrare pa pyetur vetë pronarët. Nëse ndërtesat që nuk përmbushin kushtet e  sigurisë për jetesë, shteti sigurisht që do ndërhyjë”, theksoi ajo.