Bardh Spahia mbyll fushatën në Shkodër: Fitorja e 14 majit, e thellë, as në kohët më të vështira nuk jemi dorëzuar…

I nderuar prof. Dr Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike
Të nderuar deputet
Të nderuar kandidat për këshillin bashkiak,
Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike
Të dashur bashkëqytetarët e mi

Faleminderit nga zemra që jeni sot këtu dhe mirënjohje pa fund për secilin prej jush që na e bëtë këtë fushatë kaq të bukur, na hapet dyert dhe zemrat për të ndarë së bashku në gjithë këto javë vizionin tonë për drejtimin e Shkodrës.

Kam marrë kaq shumë emocione nga kjo fushatë, sepse në cdo takim që kam patur me ju, përtej moshës, profesionit, kontributit që keni dhënë dhe jepni në shoqëri, keni patur durimin e të dëgjuarit, argumentin e duhur të të shpjeguarit të problematikave që hasni në përditshmëri dhe vlerësimin e mbështetjen për zgjidhjet që kam propozuar përmes programit të këtyre 4 viteve, që e projekton Shkodrën si një qendër e rëndësishme në rajon.

Kudo ku kemi rrugëtuar në këtë fushatë, cdo lagje të qytetit dhe fshatra të njësive administrative, kam ndjerë frymën e fitores dhe besimin që dini të jepni vetëm ju, populli i Shkodrës. Vizioni dhe largpamësia që keni për t’i parë gjërat me objektivitet më bëjnë sot më të bindur se kurrë se falë mbështetjes të secilit prej jush, Fitorja e 14 Majit do të jetë më e thellë, më e bukur dhe më shpresdhënëse për Shkodrën tonë.

As në kohët më të vështira nuk jemi dorëzuar, as në momentet më delikate që ka kaluar vendi ynë nuk kemi gabuar, sepse na kanë udhëhequr parimet e forta që i kemi të trashëguara brenda nesh. Nuk do të ndodhë as këtë herë, e kam bindje këtë, përtej presioneve, parave të pista që janë hedhur në qarkullim, përfshirjen e krimit që po tenton edhe në këto zgjedhje ta bëjë pis Shkodrën dhe zgjedhjen tuaj të dashur bashkëqytetarë.

Shkodra nuk është e atyre, Shkodra është e juaja, e të gjithëve ne, që me ndërshmeri, përkushtim dhe vizion, do t’i japim ditë pas dite shkëlqimin që ajo meriton.

Na ndajnë vetëm 2 ditë nga e diela e 14 Majit, që do të jetë dita më e rëndësishme për Shkodrën dhe Shqipërinë. Të vlerësojmë këtë moment dhe t’i japim rëndësinë që ka, shenjtërinë që duhet të ketë vota jonë, sepse përmes saj vendosim për të ardhmen. Ju ftoj me zemër të dilni masivisht në votime, ta thoni përmes fuqisë që ka vota fjalën tuaj dhe ta kurorëzojmë fitoren tonë ashtu sic i ka hije Shkodrës. Ashtu sic kemi ditur ta bëjmë gjithmonë, me qytetarinë dhe zgjuarsinë që na karakterizon.

Vota për Bardh Spahia dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë” do të jetë besimi që i jepni një ekipi profesionist dhe të përkushtuar, që ka zgjedhur të parën Shkodrën mbi cdo gjë. E diela e 14 Majit është një sfidë për të gjithë qytetarët e ndershëm qe e duan Shkodrën larg duarve të krimit.

Eshtë një obligim dhe ndjenjë dashurie e përgjegjësie që kemi për qytetin ku gjenden rrënjët tona, kemi lindur dhe jemi rritur. Prandaj ftesa që kemi bërë në gjithë këto ditë, ka qënë ajo për të drejtuar bashkërisht Shkodrën, duke qënë ju të parët dhe askush tjetër.

Të jeni të bindur se kjo fitore do të jehojë fort, do ta bëjë edhe më të fortë Shkodrën, ekonomikisht dhe administrativisht, ashtu sic ka qënë përherë ndër rrjedhat e shekujve. 14 Maji do të jetë dita në të cilën nis rrugëtimi i ri për Shkodrën, i mbushur plot shpresë dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për familjet tona.

E në fund më lejoni ta mbyll me një përkufizim që Barleti i bën Shkodrës ku thotë: Shkodra ka fitue nam të madh, se historia e saj ka qenë me të vërtetë madhështore.
Këtë madhështi e kemi në duar të mos e lëmë të shkatërrohet nga ata që bënë cdo gjë për t’ja zbehur Shkodrës. Të gjithë bashkë drejt kutive të votimit për t’i dhënë Shkodrës shkëlqimin që meriton. Fitore.
Faleminderit!