Brdaric rikthen “buzëqeshjen” te Vllaznia, 3 pikë ndaj Egnatias…

Vllaznia i ka dhënë fund serisë negative të rezultateve në kampionat, teksa mundi 0-1 Egnatian në Rrogozhinë. Rikthim pozitiv i Brdaric në stolin e shkodranëve, në një sfidë që rezultoi ashtu siç pritej, mjaft delikate.

Një ndërhyrje e ashpër e Xhemajlit në minutën e 11-të ndaj Krymit u vlerësua si karton i verdhë nga arbitri Cjapi, por pas rishikimit me VAR, mbrojtësi u ndëshkua me të kuq. Në superioritet numerik, shkodranët morën në dorë situatën, duke kaluar në epërsi në minutën e 38-të.

Një krosim i Smajlit, i ndihmuar edhe nga një devijim, i surprizoi të gjithë, me topin që shkoi pas shpinës së portierit Alen Sherri. Pas një ore lojë, rrogozhinasit reklamojnë një prekje me dorë të Hakajt, nuk mendoi kështu kryesori, i cili lejoi që loja të vijonte normalisht.

Bekim Balaj realizoi golin e qetësisë për të besuarit e Brdaric në të 72-tën, por u anulua për pozicion të parregullt. Vllaznia ruajti me fanatizëm rezultatin, duke shkuar kështu në kuotën e 55 pikëve në vendin e dytë, 5 pikë më pak se Egnatia kryesuese