Çmimet i rikthehen rritjes në maj, për herë të parë gjatë këtij viti…

Share your love

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin e çmimeve të mallrave për një shportë të caktuar produktesh bazë i është rikthyer rritjes në muajin maj, duke shënuar tendencë për larta për herë të parë gjatë këtij viti.

INSTAT njoftoi se Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Maj 2024 është 2,2. Në prill, inflacioni ishte 2.1%, teksa kishte ardhur në rënie të shpejtë, në krahasim me 4% që u mbyll viti 2023.

Ushqimi dhe uji, që për disa qytete është rritur pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë kanë shënuar rritjen më të madhe në maj.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,69 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,42 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,28 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,15 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,14 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,11 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,08 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,06 pikë përqindje secili.

Gjithsesi inflacioni mbetet poshtë objektivit të shënjestruar të bankës së Shqipërisë prej 3%.

Në mbledhjen e fundit, Banka e Shqipërisë, që ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, mbajti të pandryshuar normën bazë në 3.25, niveli më i lartë që nga marsi 2022 kur banka shtrëngoi politikën e saj monetare në përgjigje të rritjes së shpejtë të çmimeve. Guvernatori i bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se rënia e shpejtë e inflacionit po vjen nga jashtë dhe është kalimtare.

“Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, mbeten relativisht të larta. Këto presione ushqehen nga kërkesa solide për mallra e shërbime, kërkesë e cila pasqyrohet në rritje të shpejtë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit të sektorit privat”.

Ndërkohë pak ditë më parë Banka Qendrore Europiane vendoi të ulë normat e interesit për herë të parë në gati pesë vjet. Banka mori kthesën e politikës monetare, duke ulur koston e huamarrjes, përpara homologëve të saj në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo lëvizje erdhi pasi përgjatë viteve të fundit bankat qendrore kishin rritur normat e interesit për të frenuar shtrenjtimin më të madh të çmimeve në një gjeneratë. BQE uli normën e saj bazë të depozitave me një çerek pikë përqindjeje në 3.75 për qind. Inflacioni i Eurozonës u ngadalësua nga një kulm mbi 10 për qind në 2022 afër objektivit të tij prej 2 për qind.

Sa u rritën çmimet

Sipas INSTAT, Krahasuar me muajin Maj 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3,7% secili, “Veshje dhe këpucë” me 3,2%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 2,2% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,9%, “Shëndeti” me 1,7%, “Transporti” me 1,1% dhe “Komunikimi” me 0,1%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,6%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,1%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3,6%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,9%, “mish” me 2,3%, etj./monitor/

Share your love