DENONCIMI/ Mësuesja shkodrane që zhvati rreth 200 milion lekë përmes mashtrimit për sëmundjen e burrit e babait…

Share your love

Një mësuese e ciklit 9- vjeçar është denoncuar si zhvatëse e miliona lekëve në qytetin e Shkodrës. Sipas denoncimit telefonik në ShkodraWeb, mësuesja me iniciale M.Ç. (H), rreth 50 vjeç, ka mashtruar dhjetëra persona, duke iu prezantuar fillimisht si një grua që ka bashkëshortin me sëmundje të rëndë dhe i duhen para për ta kuruar, më pas për babain e saj që është në gjendje të rëndë.

Sipas denoncimit, mësuesja që deri para pak kohësh ishte pjesë e stafit pedagogjik të shkollës “Martin Camaj” në Shkodër, kërkonte shuma të konsiderueshme parash nga të njohur, madje edhe kolegë mësues. Shumat e përfituara në mirëbesim, variojnë në rendin e 5- 6 milion lekëve të vjetra. Në total, ka dyshime se mësuesja ka përfituar përmes mashtrimit një vlerë në rendin e 200 milion lekëve të vjetra.

Pavarësisht se disa nga personat që ia kanë dhënë paratë në mirëbesim ia kërkojnë, ajo vazhdon ti shmangë ndërsa tashmë edhe një numër celulari, me të cilin komunikohej, rezulton i paaritshëm. Në shkollën ku ka dhënë mësim, edhe në atë të Bahçallëkut ku ka punuar së fundmi, nuk ka asnjë informacion për shtetasen M.Ç. (H).

Jo zyrtarisht, kolegë e të njohur të saj thonë se ajo tashmë nga gushti i këtij viti, është në Kanada ku jetojnë të afërm të saj. Bashkëshorti apo ish- bashkëshorti, me të cilin kërkohet të komunikohet për informacione, thotë se është në proces divorci dhe se i duhet të përballet me borxhlinjtë e bankat, ku mesa duket mësuesja është zhytur keqas.

Gruaja premtonte kthimin e parave të marra në një afat të caktuar por deri tani, kjo nuk ka ndodhur. Qëllimi i denoncuesit është që organet e specializuara të zbatimit të ligjit të veprojnë. Duke nisur nga prokuroria, e cila duhet të merret urgjentisht me këtë çeshtje por edhe policia, e cila ka detyririmin të verifikojë pikë së pari, nëse mësuesja mashtruese është në Shqipëri apo jo.

E gjitha kjo që kjo çeshtje të mos shkojë në vetëgjyqësi. Mes atyre që janë mashtruar nga kjo mësuese, ka edhe persona e familje, që në emër të mëshirës apo dhimbshurisë, i kanë dhënë edhe lekët e fundit të kanë patur 50 vjeçares. Për shumë prej tyre, durimi është sosur dhe duhet parandaluar më e keqja. /ShkodraWeb/

Share your love