Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare  kremtohet në gjimnazin “Jordan Misja” me intelektualin dhe mësuesin Zija Vukaj…

21 Shkurti njihet si “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare”. Gjimnazi “Jordan Misja” në Shkodër organizoi në nder të kësaj dite takimin “Deja vu në amtarisht”,  ku në fokus ishte intelektuali dhe mësuesi i kësaj shkolle Zija Vukaj, njëherazi dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës.

Kjo veprimtari nisi me himnin e vjetër të flamurit dhe pjesëmarrësit i përshëndeti drejtuesja e gjimnazit, Blediana Osja. Kjo merr një vlerë të shtuar edhe për faktin se viti 2024 është shpallur si viti i Gjuhës Shqipe.

Zija Vukaj vë theksin në rëndësinë e kësaj dite dhe mesazhit të saj.

“Të gjithë jemi mëkatarë ndaj gjuhës shqipe dhe ne duhet ta mbrojmë atë”, shprehet Zija Vukaj.

Takimi i konceptuar në formën e një interviste me pytje dhe përgjigje kishte edhe elementë artistikë në përmbajtjen e tij.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Kjo ditë ka si qëllim promovimin dhe ndërgjegjësimin për diversitetin gjuhësorë dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë.