Dje u varros në Prizren, Elizabetë Poniku, zviceranja që e dha krejt pasurinë për UÇK-në…

Lindi në Gansingen të Kantonit të Argaus.

Por, zviceranes, lamtumira e fundit ju dha në Lubiçevë (Malesi e Vërrinit)të Prizrenit.

Në këtë formë, me rite fetare islame, të mërkurën u varros, Elisabetë Poniku.

Por, kush ishte zviceranja e UÇK-së?

E bija e një legjionari e ushtaraku, Elizabeta, në vitet e ’90-ta në Zvicër, u martua me Ahmet Ponikun nga Prizreni.

Të dy, burrë e grua, ranë në kontakt me gjeneral Jashar Salihun në Zvicër.

Në këtë formë, Elizabeta, u emërua edhe pjesë e logjistikës së Shtabit të UÇK-së, në Zvicër.

E në ditën kur i dha lamtumirën e fundit bashkëshortes, Ahmeti Poniku, i kujton ditët e para të njoftimit më të.

“Ishte pak interesant, kishte një butik atje, tekstil dhe unë punoja aty, herë në të zezën herë në të bardhën, si të gjithë shqiptarët, dhe u njoftuam, me la shumë përshtypje, sinqeriteti i saj, shpirti luftarak, drejtësia dhe në fund doli që kishte pasur njohuri për shqiptarët, ilirët”, thotë Ahmet Poniku, bashkëshorti i Elisabetë Ponikut.

Por, në çfarë forme arriti Elizabeta ta ndihmonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?

“Startoi me ndihma financiare, mandej plasën aksionet e para guerile ishte në ngjarje dhe i interesonte sigurimi i armatimeve, sidomos i armëve adekuate për luftën guerile….Elizabeta kurrë nuk ka marrë para nga fondet, por gjitha këto i ka bërë nga kontributi i vet, ose thënë ndryshe, nga xhepi i saj”, tregon ai.

Poniku e ka treguar edhe amanetin e fundit të Elizabetës.

“Ishte dëshira e fundit që të prehet këtu në jetën e amshueshme”.

E ish-eprori i UÇK-së, Liman Kryeziu, kujton kohën kur armatimi që Elizabeta e siguronte në Zvicër, arrinte në duart e ushtarëve të lirisë në Kosovë.

“Ajo ka qenë në diasporë atje i ka pasur udhëheqësit e saj, që kanë dhënë një kontribut të madh, si nga ana e organizimit luftarak , po ashtu edhe nga ana e armatimit, kështu që ne jemi furnizuar me armatim prej saj”, thote Kryeziu.

Nga Zvicra për varrimin e Elizabetës, erdhi edhe Milaim Tasholli.

Ky thotë se e ndjera, kishte dashuri të madhe për shqiptarët.

“Sot kam ardhur nga Zvicra në shenjë respekti për varrimin e motrës, apo bashkëshortes së shokut tim, Ahmetit. Ishalla atë Allahu e mëshiron”, thotë Tasholli.

Për aktivitetin e saj, Elizabetë Poniku, së bashku me Murat Jasharin dhe disa veprimtarë të tjerë u burgosën me padi të prokurores zvicerane, Karla Del Ponte.

E pavarësisht se Elizabeta dha gjithçka nga pasuria e saj për UÇK-në, në varrimin e saj nuk u panë nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Prizren.

Madje këtu, prezent nuk ishin as zyrtarë nga Komuna e Prizrenit e as ata të nivelit qendror.