Drejtuesi i SPAK takim me student të universitetit “Luigj Gurakuqi”/ Dumani: Kemi pavarësi totale në punën tonë…

Share your love

Altin Dumani, shefi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ka zhvilluar një takim me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Gjatë bashkëbisedimit me studentët , por edhe në përgjigje të interesit të tyre, shefi i SPAK ka përcjellë disa mesazhe të rëndësishme.

Ai ka kujtuar se në dhjetor SPAK mbushi 4 vite nga krijimi i tij, duke shtuar se është bërë funksional vetëm vitin e shkuar, pasi u plotësua organika. Dumani ka thënë se rëndësi parësore i kushtohet integritetit të treguar edhe në detyra të mëparshme si dhe profesionalizmit.Në përgjigje të pyetjeve të sudentëve, shefi i SPAK ka thënë se kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupet kriminale, përtej forcës që kanë dhe lidhjeve me politikën. Për të folur për suksese, ka vijuar Dumani, duhet të presim vendimet e gjykatave për subjektet e nivelit të lartë. Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë, është e lodhshe por jo e pamundur, ka deklaruar mes të tjerave shefi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.Drejtuesi i SPAK ishte në Shkodër, në një takim të organizuar në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit me temë luftën kundër korrupsionit.

Share your love