“Dugaja e fotografisë”/ Shtëpiza e fotografisë është një nga më të vizituarat në sheshin para bashkisë…

Në serinë e aktiviteteve që po shoqërojnë këto ditë dhjetori Shkodrën është edhe ajo e quajtur “Laboratori i fotografisë”, e vendosur në një shtëpizat festive, të instaluara në sheshin para bashkisë, e emërtuar “Dugaja e fotografisë”. Çdo ditë të rinjtë njihen nga afër me teknikat analoge të fotografimit. E gjitha kjo po zbatohet në kuadër të programit të Muzeut “Marubi”, “Shkruaj me dritë” për festat e fundvitit.

Të rinjtë njihen me disa procese që nisin nga shkrepja me film dhe vijojnë me zhvillimin e filmit në dhomën e errët.

Shkrepja me film është një traditë e hershme e fotografëve të qytetit të Shkodrës, prej ku merr rrugëtimin e saj dhe fotografia e ditëve të sotme. Këtij masterclass-i të veçantë i bëri jehonë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndau në rrjetet sociale një album fotografish bardhë e zi, nga ky event. “Jo vetëm mësimi i teknikave të hershme të fotografisë, por edhe një kujtim i bukur pragfestash”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale.