EMRI/ Italia sekuestron miliona euro pasuri të 44-vjeçarit shqiptar: I ka vënë me aktivitet kriminal…

Karabineria italiane ka sekuestruar ditën e sotme pasuritë e 44-vjeçarit shqiptar Geront Dedja, pasi dyshohet se ato janë vënë nga aktiviteti kriminal që ai ka ushtruar në Itali dhe në disa shtete të tjera të Europës.

Mediat italiane raportojnë se Dedjas i janë sekuestruar një vilë në bashkinë “Caselle Torinese”, katër makina luksoze, një kompani e cila ishte në ndertim e sipër, 600 mijë euro cash si dhe të gjitha llogaritë rrjedhëse.

44-vjeçari shqiptar ishte pjesë e organizatës kriminale “Poter-Al”,  një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në Europë.

Dedja akuzohet se merrte kokainën dhe heroinën nga Holanda dhe më pas bëhej shpërndarja në Itali, Francë dhe Gjermani.

Shqiptari ishte i dënuar me burg nga autoritet italiane për trafikim ndërkombëtar droge si dhe për emigracionin e paligjshëm të njerëzve. Në vitin 2002 ai u dënua për këto akuza duke vuajtur dënimin dy vite 2003- 2004, sëbashku me disa shqiptarë të tjerë bashkëpunëtore, shkruan media italiane.

Kush ishte organizata kriminale “Poter-Al”?

Organizata kriminale “Poter-Al” është drejtuar nga Ilir Koçiaj ndërsa krahu i tij i djathtë ka qenë Xhiliano Xhoxhi. Të dy këta persona kanë mundur që të ngrenë një rrjet të tërë të trafikut të narkotikëve në të paktën gjashtë shtete të ndryshme të botës. Me rekrutimin e anëtarëve të organizatës janë marrë pikërisht dy krerët e saj, Koçiaj dhe Xhoxhi. Nga hetimi është zbuluar se në disa raste anëtarët e organizatës nuk njiheshin fare me njëri-tjetrin. Njohja e tyre e përbashkët ishte kreu Ilir Koçiaj. Mes tyre ishte edhe Ervin Tavanxhi, nga Elbasani, djali i ish- deputetit, Vangjel Tavanxhi.

Kryesisht aktiviteti i organizatës është zhvilluar në Itali, ndërsa droga merrej në Holandë dhe më pas shpërndahej në Itali, Francë si dhe Gjermani. Në një rast është tentuar trafikimi edhe në Greqi. Më herët është raportuar se heroina vinte nga Turqia dhe përfundonte në Itali. Prokuroria shqiptare ka mundur që t’i sekuestrojë kësaj organizate 73.000 euro, 29.000 dollarë amerikanë si dhe një milion lekë të reja. Hetimet e kryera në Itali për këtë organizatë kriminale kanë sjellë sekuestrimin e sasive të ndryshme të tyre të lëndëve narkotike, të cilat arrijnë në 22,240 kg kokainë dhe 20,032 kg heroinë për periudhën fillim i vitit 2003 deri në fillim të vitit 2004. Një pjesë e grupit Poter-al ra në pranga më 23 maj të vitit 2006 në Shqipëri, vetëm pak ditë pas arrestimit të 40 personave në Itali.

Grupi kriminal “Poter-Al” përbëhej nga Ilir Koçiaj, nga Elbasani, Geront Tola alias Geront Dedja, nga Librazhdi, Zamir Vadardha nga Shijaku, Bledi Ballii nga Fieri, Aleksandër Koliçi, alias Aleksandër Gremi nga Fieri, Leonard Çobaj nga Vlora, Ervin Tavanxhi nga Elbasani, Xhiliano Xhoxhi, Malvin Toto, Bisera Pudiç shtetas kroatë si dhe Gëzim Mekaj e Robert Peçi.