Festat e fundvitit/ 90 euro nata në Korçë, njësoj sa në Paris…

Trajnuesi i guidave turistike, Eduart Çekoja tha në “Now me Erla Mëhillin” se Shqipëria ka nevojë për më tepër investim dhe infrastrukturë për turizmin dimëror.

Ai tha se çmimet në Shqipëri janë të pajustifikueshme ndërsa shpesh pronarët e bizneseve janë agresivë.

“Nuk justifikohet, siç është rasti i Korçës 90 euro nata, ndërkohë që kemi një nivel jetese që nuk korrespondon.

90 euro nata është në Paris një hotel. Nuk janë vërtet si hotelet e Korçës, por nuk mund të ngatërrojmë Korçën me Parisin”,-tha Çekoja.

Edhe pse kjo Krishtlindje erdhi pa borë, Korçën e gjeti të mbushur me vizitorë. Bujtinat e Hotelet thonë se prenotimet i kishin mbyllur prej javësh.

Festa fetare dhe nisja e pushimeve të dimrit mbushën “Parisin e Vogël”, siç konsiderohet për shkak të atmosferës që krijon me pushues e vizitorë të shumtë gjatë fundjavës.

Mes shqiptarëve mbizotërojnë kryeqytetasit të cilët e zgjedhin për disa ditë ndryshe nga ajo çka ofron Tirana, ndërsa të huajt janë më të paktë.