Gjobitet kryebashkiaku i Malësisë së Madhe për fushatën e 14 majit…

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të enjten të marrë masë administrative 100 mijë lekë ndaj kryetarit të bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, për përdorim të burimeve publike në fushatën e zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Sipas denoncimit të organizatës “Qendresa Qytetare”, Marinaj kishte zhvilluar takim elektoral në ambjentet e jashtme të shkollës 9-vjeçare “Fran Murrizi” në fshatin Pjetërshan.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi propozoi gjobën në masën 3 mijë lekë për kryebashkiakun socialist dhe drejtorin e shkollës,i cili kishte vënë në dizpozicion ambjentin e shkollës për këtë takin, por KAS vendosi të gjobisë vetëm kryebashkiakun dhe rrëzoi kërkesën për drejtorin e shkollës.

KAS shqyrtoi dhe dy projektvendime të tjera të Komisionerit për masa administrative për veprimtari të ndaluara dhe të paraportuara nga kandidatët socialistë në bashkitë Maliq dhe Kamëz, duke i rrëzuar këto kërkesa për mungesë provash.

Komisionieri kishte propozuar gjobë në masën 3 mijë lekë ndaj kryetarit të bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, për aktivitete publike të ndaluara dhe promovimin e punëve të bashkisë në praninë e përfaqësuesve politikë të Partisë Socialiste.

Gjithashtu, u rrëzua dhe propozimi për gjobë në masën 3 mijë lekë për një punonjës të bashkisë Kamëz për mosraportim të një aktiviteti publik të kryetarit të bashkisë Rakip Suli, njëkohësisht kandidat në zgjedhjet vendore të majit.