Gledis Nano fiton gjyqin. Gjykata: Të paguhet me 60 muaj për mandatin 5-vjeçar…

Gjykata Administrative e Tiranës, ka vendosur të pranojë kërkesë padinë e Gledis Nanos, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili në padinë e tij, ka kërkuar pagesat mujore bruto për një periudhë 5 vjeçare.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja administrative Afërdita Caco, e cila urdhëroi Ministrinë e Brendshme, Këshillin e Ministrave dhe Policinë e Shtetit, të paguajnë pagën për 60 muaj me radhë, njësoj sikur të kishte mbyllur mandatin 5 vjeçar të drejtimit të Policisë së Shtetit.

Tashmë shteti Shqiptar, në borderonë ekonomike paguan dy Drejtorë të Përgjithshëm Policie, Muhamet Rrumbullakun që është në detyrë dhe Gledis Nanon që u shkarkua nga kryeministri i vendit Edi Rama.

Në vendimin e saj gjykata Administrative thotë se qeveria ka diskrecion të pakufizuar në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por këtë diskrecion nuk e ka për shkarkimin.

Kjo pasi ligji e thotë qartë se shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mund të bëhet vetëm në dy raste: kur dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.

Nisur nga këto rrethana, administrativja vendos që ta konsiderojë të paligjshëm shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe t’i japë Nanos të drejtën e marrjes së pagave për të pesta vitet, sa e ka të parashikuar me ligj mandati i tij.

Njëherësh në vendimin e saj gjyqtarja Afërdita Caco, ka pranuar kërkesën e Gledis Nanos, për ekzekutim të menjëhershëm të përkohshëm të vendimit, pa pritur se çfarë do të vendosi Apeli Administrativ.

Kjo tregon se Nano, përmes përmbaruesve privatë mund ta verë në ekzekutim menjëherë vendimin gjyqësor për të marrë 60 pagat. Por në rast të prishjes së vendimit apo rëzimit të kërkesës, shumat financiare Nano duhet ti kthejë sërish në buxhetin e shtetit.

Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u shkarkua nga kryeministri Edi Rama në  31 gusht 2022 me argumentin se nuk i ka realizuar objektivat, me propozim të ish Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Periudha e shkarkimit të tij përkoi në kulmin e sezonit turistik, ku pas disa ngjarje me skafe në det, ku më e rënda ishte ajo e vrasja së një fëmije nga polici i Elbasanit Arjan Tase, zhdukja e Ervis Martinaj dhe më pas arrestimi i shoqëruesit të tij, policit Jeton Lami, solli largimin e Gledis Nanos.

Në vend të tij, u emërua drejtori aktual i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, i cili më parë mbante detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Vetë Kryeministri Rama e argumentoi vendimin me zhvillime të papëlqyeshme në Policinë e Shtetit. Rama tha se Nano i ka thënë se do ta japë dorëheqjen, por që rezultoi që nuk e dha më pas, duke bërë që qeveria ta shkarkojë. Ish-drejtori Nano ishte një nga drejtuesit më afatshkurtër që qëndroi në krye të Policisë së Shtetit.

Pas shkarkim të Nanos, Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi përmes një statusi duke thënë se: “…i shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Amerikës si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit….”.