Goli i parë në karrierë, Smajli ëndërron titullin me Vllazninë: Për gjithçka deri në fund…

Geralb Smajli, mbrojtësi i djathtë që po bën mirë në rolin e tij, shënoi golin e parë në karrierën e deritanishme me Vllazninë në sfidën ndaj Erzenit. Pavarësisht atij goli mjeshtëror, Vllaznia nuk arriti që të koleksiononte të 11-tin rezultat pozitiv radhazi.

Megjithatë, kjo nuk duket se po shqetëson shumë mbrojtësin, pasi edhe Vllaznia do të kishte sipas tij një ndalesë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari flet për momentin e mirë që po kalon dhe përballjen e së hënës ndaj Dinamos.

Një humbje që ndërpret atë ecuri teje pozitive tuajën në 10 përballjet e fu ndit?

Normalisht që një ditë do të ndaleshim edhe ne. Mendoj se nuk e meritonim që të ndaleshim në këtë ndeshje, por futbolli është i tillë. Fiton nga një gabim i kundërshtarit apo humbet nga një gabim i yti. Unë them se ishte një takim që duhet të kishim marrë minimalisht një barazim.

Goli një kënaqësi shtesë për ju, ishte i pari si kuqeblu?

Normalisht që po, por nëse do të ishte goli që do t’i kishte dhënë barazimin skuadrës do të kishte edhe më shumë shije.

Një 2-1 që vë në mëdyshje kualifikimin?

Edhe me barazim mund të ishte në mëdyshje kualifikimi. Në futboll gjithçka është e pa parashikueshme, por gjithsesi mund të them se është një rezultat që përmbyset.

Vllaznia në luftë edhe për Kupën?

Pa diskutim që po. Ne do të kërkojmë të dy trofetë deri në fund.

Të hënën një përballje evështirë për kampionat me Dinamon?

Në këtë sezon nuk ka ekipe të lehtë për më tepër që tani Dinamo është në katërshen e parë. Mendoj se do të jetë një përballje e vështirë për ne, por në asnjë moment e pa kalueshme.

Tani konkurrenca për katërshen është rritur?

Mund të them asnjëherë se katërshja për ne nuk ka qenë mision i kryer. Madje për ta arritur ka shumë e shumë punë. Dinamo ka bërë mirë në takimet e fundit, duke qenë pas përballjes me Skënderbeun pjesë e saj. Mendoj se konkurrenca sa do të vijë dhe rritet dhe gjërat për një vend në katërshe do të vështirësohen. Megjithatë jam i bindur se ne do të jemi pjesë e “Final 4”.

Ndaj Dinamos edhe një barazim do t’ju kënaqte?

Është një përballje rivalësh. Do të kërkojmë më të mirën si në çdo takim. Rezultati i mbetet fushës dhe ne do të kërkojmë maksimumin, por e rëndësishme është që të kthehemi te rezultatet pozitive.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL