Hiqet “kioska” Shkodra tourist brand/ Kontenieri që shkaktoi reagimin e opinionit publik u hoq nga policia bashkiake…

Debatit të hapur në opinionin publik disa kohë më parë rreth kioskës në formën e kontenierit që promovonte brand-in e Shkodrës turistike duket se i është dhënë fund ditën e sotme. Policia bashkiake ndërmori paraditen e së shtunës aksionin për heqjen e saj nga vendi ku ndodhej aktualisht, ai në sheshin “Nënë Tereza”, ngjitur me xhaminë “Ebu Bekër”. Aksioni për heqjen e saj zgjati rreth një orë. Si për ironi, kioska në formë kutie në qendër të qytetit ishte vendosur me qëllimin për të pasuruar imazhin e tij, por ajo asnjëherë nuk e luajti këtë funksion për të cilin ishte krijuar dhe vendosur.

Një pjesë e madhe e opinionit publik e kundërshtonte vendosjen e saj pikërisht sepse dëmtonte imazhin e qytetit në sytë e turistëve si një objekt pa shije dhe aspak në përshtatje me arkitekturën e zonës ku ishte vendosur. Kioska “nxiti” debate të shumta asokohe edhe në Këshillin Bashkiak mes anëtarëve të saj.

Kioska në formën e zyrës për promovimin e brand- it turistikë të Shkodër, u vendos në vitin 2019 falë një projekti të BE për të promovuar artizanatin në Shkodër ndërsa ishte menduar lëvizja  e saj edhe në njësi të ndryshme administrative të Bashkisë Shkodër. Fillimisht ajo u vendos në qendër të zonës pedonale “Kolë Idromeno”, pjesë e ansamblit muzeal të qytetit. Për shkak të reagimit publik, ajo u hoq nga aty si një objekt i papërshtatshëm për zonën historike për t’u zhvendosur disa metra më larg në anë të xhamisë në qendër të qytetit.