Hodo Sokoli, në burg, i paralizuar, deri në vitin 1990…

Me dy dënime dhe 24 vjet, 3 muaj, 9 ditë burgim, arsimtari Hodo Isuf Sokoli u prangos 36 vjeç e doli prej andej kur ishte 60 vjeç. Kujto.al sjell historinë e njeriut që vuajti burgimin komunist nga viti 1966-1990 dhe foton nga gjyqi i tij.

Dënimi i parë

U arrestua më 4.6.1966. U akuzua me të tjerë me një varg trillimesh të rënda, në bazë të neneve 64 në kombinim me nenin 10 (tradhti ndaj atdheut), 73/1 (agjitacion e propagandë) dhe 218/2 (moskallëzim krimi) të Kodit Penal. Konsiderohej pjesë e një “grupi” të madh prej të cilit u dënuan me vdekje Mursin Muka dhe Brahim Tepelia. Në “grup” bënin pjesë edhe Hamza Cungu, Faik Hoxha, Hafiz Sabri Koçi (më vonë kryemyfti i Shqipërisë) dhe Hajdar Meta. Pjesëtarët e “grupit” bënin pjesë në sektin Tixhani. Gjyqi ndaj këtij grupi u bë publik. Kjo për shkak të rrethanave të revolucionit kulturor kinez, i cili në Shqipëri njihej me fjalët “revolucionarizim i jetës së vendit”. Poshtërimi publik ishte tipar dallues i kësaj kohe.

Gjykata e Qarkut Shkodër me vendimin nr.34, datë 10.9.1966 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 16 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për  3 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.143, datë 30.9.1966 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Dënimi i dytë, ridënimi në revoltën e Spaçit

U arrestua më 23.5.1973. U akuzua në bazë të neneve 72 (sabotimi), 73/2 (agjitacioni me pasoja të rënda), 76 (pjesëmarrja në organizatë kundër pushtetit) të Kodit Penal. U përfshi në revoltën e Spaçit të 21-23 majit 1973. Hodo refuzoi të nënshkruajë akuzën e hetuesisë. Nuk i pranoi akuzat për pjesëmarrje në një organizatë kundërrevolucionare dhe të sabotimit të ekonomisë socialiste. Deklaroi se vuante nga zemra. U dënua në Spaç me grupin e parë, grup nga i cili u dënuan me vdekje Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi.

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me veprim në Spaç, i përbërë nga Hilmi Telegrafi (anëtar i kësaj gjykate), Ymer  Aliko, Mit’hat Goskova (të dy ndihmësgjyqtarë të kësaj gjykate), me pjesëmarrjen e prokurorit Zaim Myftari, me vendimin nr.1, datë 23.5.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Më 21.6.1990, “Amnesty International USA”, i dërgoi një peticion Ramiz Alisë ku kërkonte lirimin e tij nga burgimi. Peticioni ishte nënshkruar nga disa shtetas amerikanë duke filluar nga Sami Repishti. Në kërkesë thuhej se Hodoja vuante dënimin në Repartin nr.305 Përparim dhe ishte i paralizuar. U lirua më 15.9.1990 nga Reparti nr.305 Përparim sipas dekretit nr.7412, datë 8.9.1990 të Presidiumit të Kuvendit Popullor./Kujto.al/