Hyn në fuqi amnistia penale/ Përfitojnë 150 të dënuar në burgun e Reçit, 150 në Fier dhe 14 të tjerë në Peqin…

Nis sot zbatimi i ligjit për amnistinë penale. Numri i të dënuarve që përfitojnë është 1100, prej të cilëve 700 do të lirohen menjëherë ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 të tjerë në shërbim prove si dhe disa protestues të opozitës, ku pushohen menjëherë 232 çështje.

Në paraburgimin e Vlorës, përfitojnë 25 persona. Nga këta 20 lënë sot ambientet e burgut ndërsa 5 të tjerët përfitojnë ulje dënimi. Nga personat që janë në shërbim prove të mbikëqyrur në Vlorë përfitojnë 88 persona. Kjo u konfirmua pak ditë më parë edhe nga drejtori i Shërbimit të provës në Vlorë.

Në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe përfitojnë rreth 150 të dënuar. Edhe në IEVP Fier, ku ndodhen rreth 800 të dënuar, përfitojnë 150 prej tyre. Nga burgu i Peqinit lirohen 14 të dënuar, ata që u kanë mbetur 12-15 muaj dënim. Ndërsa nga burgu i Durrësit përfitojnë 10 të dënuar.

Ndërkohë në Korçë, nga 140 të burgosur që përfitojnë, 55 prej tyre do të lënë sot qelitë ndërsa 73 të tjerë kanë ulje dënimi. Nga amnistia do të përfitojnë të burgosurit burra, të cilëve u ka mbetur pa vuajtur më pak se katër vite nga përfundimi i dënimit. Po ashtu, përfitues janë edhe të burgosurit burra mbi 60 vjeç.