I fiksuar pas derrave të egër e sorkadheve, policia sekuestron armë dhe snajper tek Gërmizi…

Gjatë operacionit të zhvilluar mes datave 16 dhe 17 nëntor 2023 në disa qytete të vendit, ku në pranga përfunduan Bujar Gërmizi, Erzen Breçani, polici Dedan Gjoni dhe në kërkim u shpallën Ervin Mata e persona tjerë, uniformat blu njoftuan se kishin sekuestruar vlera të konsiderueshme monetare dhe një sasi armatimi.

Burime pranë SPAK, thanë për “Ora News” se një pjesë të armëve janë sekuestruar në bazat e veprimit të Bujar Germizit në Kukës. Pistoleta, armë automatike dhe snajper mësohet ti jenë sekuestruar Bujar Germizit.

Gjatë momentit të arrestimit Germizi ka pretenduar se armët i mban për gjah. Gërmizi është i fiksuar për vrasjen e derrave të egër dhe sorkadheve në mal.

Për shkak të lidhjeve të tij dhe me policinë private “ORKA” ai kishte siguruar disa armatime të fuqishme dhe preçizion të lartë, duke realizuar vrasjen e derrave dhe sorkadheve nga një distancë e largët.

Në këtë foto të siguruar nga “Ora News” Bujar Ajeti alias Germizi shfaqet me në një teren malor me uniformë ushtarake me automjetin e tij “Mercedez Benz” me targa AA 860 IB.

Të gjitha armët tashmë do i nënshtrohen ekspertimit balistik pas dyshimeve se mund të jenë përdorur në ngjarjet kriminale apo të jenë trafikuar nga Kosove dhe Maqedonia e Veriut.

Bujar Ajeti alias Germizi, ka precedentë të mëparshëm të trafikut të armëve, pasi në vitin 2008 u arrestua së bashku me tre persona të tjerë si pjesë e një grupimi që futi nga Kosova në Shqipëri, 100 pistoleta “Mini Blow”.

Por për këtë ngjarje trafikimi të armëve dhe mënyrës se si i shpëtoi dënimit Ajeti nga Gjykata e Krimeve të Rënda, do flasim në ditët në vijim.