I shpallur në kërkim nga SPAK, policia e Shkodres arreston 49 vjeçarin…

Malësi e Madhe

I shpallur në kërkim 2 javë më parë, në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, dhe i akuzuar nga SPAK-u, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.

Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Perlat Canaj, 49 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, pasi dyshohet se ka kultivuar në fshatin Gruemirë, 321 fidanë dhe 52 bimë narkotike, të cilat u gjetën dhe u asgjësuan nga Policia, 2 javë më parë. Në ambientet e objekti në pronësi të shtetasit Perlat Canaj, u gjetën edhe disa bimë narkotike në proces tharjeje dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.