Inflacioni zbret në nivelin më të ulët në tre vjet, por ushqimet mbeten të shtrenjta…

Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë këtij viti. INSTAT bëri të ditur se inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit zbriti në 2.1% në prill, nga 2.3% që ishte muajin e mëparshëm dhe 4.6% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është niveli më i ulët i inflacionit që nga maji i vitit 2021, kur ekonomia vendase dhe globale po rikuperohej nga pandemia.

Më pas, çmimet nisën rritjen, si rrjedhojë e problematikave që u shkaktuan në zinxhirin e furnizimit nga pandemia. Në 2022 shtrenjtimi u përshpejtua dhe më tej si rrjedhojë e pasojave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në tregjet globale të energjisë e ushqimeve.

Në tetor 2022, inflacioni në vend arriti në 8.3%, niveli më i lartë nga viti 1998, kur vendi vuajti pasojat e piramidave. Në 2023 rritja e çmimeve u lehtësua për tu ngadalësuar ndjeshëm në pjesën e parë të 2024-s, e ndihmuar dhe nga rënia e inflacionit në Europë, që është dhe partneri ynë kryesor tregtar.

Në përpjekje për të luftuar inflacionin, Banka e Shqipërisë që ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve shtrëngoi politikën monetare, duke rritur normën bazë nga 0.5% në mars 2022 në 3.25% aktualisht. Tashmë inflacioni ka zbritur nën objektivin e shënjestruar prej 3% të bankës së Shqipërisë, por kjo e fundit nuk e ka nisur ende politikën lehtësuese monetare.

Ushqimet janë grupi që kanë ndikimin më të lartë në rritjen e çmimeve.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,52 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,44 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,26 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,15 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,06 pikë përqindje secili.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4,4% pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,5%, “Veshje dhe këpucë” me 3,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,3%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,3%, “Shërbimi arsimor” me 2,2%, “Shëndeti” me 1,7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,5% dhe “Transporti” me 1,0%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 5,4%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5,2%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,1%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3,6%, “mish” me 2,4%, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Mars 2024, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 0,7%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” shënuan rritje me 1,1%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,5%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% secili, “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili./Monitor/