Kafja me dy mikeshat, makina e qitësve e priste jashtë/ Si u nxor nga “kulla” e tij Marklen Haka…

Marklen Haka kishte kohë që nuk dilte nga vila e tij luksoze në fshatin Nikël në Fushë-Krujë, që nga atentati i fundit në shtator të vitit 2019. Atje u plagos rëndë në pragun e banesës së tij dhe humbi jetën më pas në spital halla e tij, Shpresa Basha. Pas atentatit, ai kishte bërë veten të padukshëm për shënjestruesit e tij, të cilët kishin shprehur qëllimin e qartë për eleminimin e tij. Madje, ai kishte vendosur të braktiste edhe Shqipërinë dhe të zhvendosej në Belgjikë. Megjithatë, edhe atje ai kishte preferuar të qëndronte në fortesën e tij në fshatin Nikël.

Megjithatë një telefonatë nga ish-kunata e tij e çoi atë përsëri në pritën e qitësve të tij, të cilët ishin në përditësim të çdo lëvizje të tij dhe kishin marrë çdo masë për eleminimin e tij. Ata ishin të përgatitur dhe dispononin informacion në terren, kështu që kur Marklen Haka zgjodhi të dilte nga vila e tij, ajo u përfundua me atentatin që ndodhi mesditën e 8 qershorit 2022 kur një telefonatë miqësore për kafe nga ish-bashkëshortja e vëllait të tij të ndjerë, e cila ishte e shoqëruar nga një mikesha e saj, e nxorri atë edhe njëherë në rrugë, aty ku në kthim e prisnin sërish në pritë armiqtë e tij.

Policia e Shtetit

Më datë 8 Qershor 2022, rreth orës 14.30 është marrë njoftim nga salla operative se në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Nikël të Njësisë Administrative, Nikël-Krujë, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Marklen Lutfi Haka, i cili ka shkuar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor, provoi se në segmentin rrugor, 35 metra në anën lindore të kryqëzimit të fshatit Nikël, mbi asfalt, janë gjetur të shpërndara në mënyrë të çrregullt, 17 gëzhoja në formë cilindrike, 12 nga të cilat janë të shtypura me kapsollë të goditura me mbishkrimin në fundin e tyre 14 G.F.L, një predhë metalike e shformuar dhe një këmishë predhe.

Marklen Haka ia hodhi paq edhe këtë herë, si në sulmet e tjera me armë ku objektiv i armiqve të tij kishte qenë ai vetë dhe pjesëtarë të familjes Haka. Ai mori një plumb në nofull, ndërsa dëshmitarë të batareve ndaj makinës së tij u bënë edhe të pranishëm të rastësishëm apo jo në vendngjarje. Ata panë të tmerruar se si plumbat vërshuan edhe ndaj tyre, duke rrezikuar seriozisht jetën. Disa prej qitjeve përfunduan edhe në lokalin ngjitur me skenën e atentatit.

Përparim Caca ishte duke shërbyer në lokalin e tij kur ndjeu së pari të shtënat e shumta që vinin nga jashtë kafenesë së tij të vogël. Ai nuk pati mundësi të dilte dhe të shikonte menjëherë se çfarë po ndodhte në rrugë. Një vrimë tejshpuese e mbetur në xhamin e lokalit tregoi për terrorin që ai dhe të tjerë të pranishëm në kafene në atë moment përjetuan nga plumbat që vinin nga përtej rrugës.

Dosja Hetimore

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në lokalin në pronësi të shtetasit Përparim Caca, u konstatua një vrimë tejshpuese në xhamin e dritares së kafenesë.

Po kështu nga kqyrja e automjetit model ‘Golf 5’, me targa AB 728 CB, 5 vendësh, me ngjyrë të zezë, e cila është në pronësi të shtetasit Kurt Hidri dhe që më datë 8 Qershor 2022, ka qenë në përdorimin e Marklen Hakës, u konstatuan vrima tejshpuese, me drejtim nga e  majta në të djathtë, të cilat korespodojnë me xhamin e krahut të pasagjerit të parë të automjetit ne fjalë.

I pari që u mor në pyetje lidhur me ngjarjen ishte pikërisht Marklen Haka, njeriu që ishte edhe në qendër të sulmit më të fundit me armë ndaj tij. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas dëmtimit që kishte marrë në nofull, ashtu si edhe në atentatet e tjera të ngjashme ndaj tij, nuk dha asnjë informacion me interes për kundërshtarët e tij, që i ishin vënë nga pas për të qëruar hesapet me të.

Megjithëse nuk dha njohje për armiqtë e tij të mundshëm, Marklen Haka nuk mohoi dyshimet që ai pati në momentin kur makina e tij u vu në ndjekje nga një tjetër automjet, fill pasi kishte konsumuar një kafe me dy mikeshat e tij, një lokal jo shumë larg vilës së tij në fshatin Nikël. Ai tha se doli nga banesa rreth orës 12.00 të drekës, pas ftesës për kafe që i kishte bërë një e njohura e tij, të cilën e identifikon me emrin Alketa. E cila i tha se ishte e shoqëruar me një mikeshën e saj, të quajtur Rita.

Marklen Haka: Më datë 8 Qershor 2022, unë po qëndroja në banesën time kur rreth orës 12.00 u telefonova nga një mikesha ime, Alketa.  Ajo më tha se jam me Ritën dhe më ftonin për kafe. E lamë të takoheshim te ‘Klajdi Park’ në Tapizë.  Unë aty shkova me makinën time tip ‘Golf 5’ me ngjyrë të zezë. Kur shkova aty pashë që Alketa dhe Rita kishin mbërritur para meje dhe po më prisnin.  Unë qëndrova me to në lokal përreth një orë. Pasi përfunduam kafen, unë u përshëndeta me Alketën dhe Ritëm dhe shkova të paguaj faturën.

Pasi u nda me vajzat, Marklen Haka tha për hetuesit se ai mori sërish rrugën e kthimit për në banesën e tij në fshatin Nikël. Megjithatë, me daljen nga lokali, ai vuri re nga pasqyrat e makinës një lëvizje të pazakontë të një automjeti që vinte pas tij. Ky automjet e ndiqte përgjatë gjithë kohës, pa iu ndarë për asnjë moment të vetëm. Kjo situatë shkaktoi dyshime te ai vetë, se automjeti që vinte pas tij dhe njerëzit në bord, nuk ishin përdorues të zakonshëm të rrugës.

Marklen Haka: Pasi pagova faturën dola dhe shkova te makina ime. Ndërkohë që Alketa dhe Rita po qëndronin në makinën e tyre në oborrin e lokalit dhe të dyja po merreshin me telefonin. Gjatë kësaj kohe unë u ngjita në makinën time dhe u nisa drejt Fushë Krujës, ndërsa vajzat u nisën për në drejtim të Tiranës me një automjet A Class. Por sapo u nisa unë pata dyshime, pasi në ndjekje të automjetit tim u vu një tjetër makinë, Audi A8.

Dyshimet e Marklen Hakës në atë moment nuk rezultuan thjesht të tilla. Manovrat që ai kreu në rrugë e bindën se automjeti me xhama të zinj që po e ndiqte nga pas ishte aty pikërisht për të. Ai nuk mundi të shquajë asgjë nga brenda automjetit përveç xhamave të zinj dhe targës së huaj në pjesën e saj të përparme. Ndërkohë, e vetmja mundësi shpëtimi për të ishte të jepte gaz sa më shumë të mundej makinës së tij, e cila ishte disa kuaj kubik më pak e fuqishme se Audi që po e ndiqte.

Marklen Haka:  Nuk kisha ecur as 200 metra nga lokali kur vura re një automjet tip Audi A8, prodhim i viteve 2008-2010, me ngjyrë të zezë, me xhama komplet të zinj, me targa të bardha të huaja, me gërma të vogla, që më bëri shumë përshtypje. Në këtë moment i dhashë gaz makinës dhe e parakalova Audin.  Por aty vura re se kjo makinë po vazhdonte të më ndiqte dhe qëndronte pranë meje në një distancë rreth 100 metra.

Por kur mendoi se i shpëtoi kurthit të radhës, Marklen Haka nuk llogariti se ndjekësit e tij do ta godisnin pikërisht në momentin kur ai do të merrte frymë lirisht dhe ia kishte hedhur pa u lagur shënjestruesve të tij. Ai tha për hetuesit se sapo hyri në Nikël, një tytë arme zjarri doli nga xhami i zi i ulur i makinës që e kishte ndjekur përgjatë gjithë rrugës, dhe qëlloi në drejtim të automjetit të tij, që në këtë moment ishte ndalur në anë të rrugës.

Marklen Haka: Kur mbërrita në vendin e quajtur stacioni i Niklës, mora kthesën për në fshat. Aty pashë djalin e xhaxhait tim që duhet Tani Haka. Ai po qëndronte në këmbë në rrugë para lokalit dhe ma bëri me dorë që ta merrja. Unë ndala makinën dhe Tani mu afrua që të hipte në automjet. Në këtë moment, pranë makinës sime u afrua Audi A8, i cili uli xhamin dhe nga aty u qëllua me armë. Unë u shtriva në sedilje, ndërsa të shtënat vazhdonin. Ndërkohë që një plumb më kapi në nofull.

Edhe pse në atë gjendje, Marklen Haka tha se ende pati fuqinë ti jepte makinës dhe të largohej nga vendi ku u derdh ndaj tij breshëria e plumbave. Ai tregoi se u drejtua drejt Fushë Krujës për të kërkuar ndihmë te miqtë e tij në këtë qytet, të cilët më pas e dërguan në Spitalin e Traumës në kryeqytet, pas plagës që kishte marrë në nofull. Spitali i Traumës, që për të ishte kthyer në stacion të zakonshëm kurimi, sa herë ai binte pre e atentateve, ashtu si edhe në këto pamje të shtatorit 2019, ku edhe në atë kohë u plagos rëndë pas një prite që i ishte organizuar në orët e vona të mbrëmjes në derën e vilës së tij në fshatin Nikël në Fushë-Krujë.

Marklen Haka: Pas asaj që më ndodhi unë i dhashë makinës indietro dhe u largova drejt Fushë Krujës. Aty u ndala për një moment dhe u nisa sërish dhe shkova të kalçeto ‘Çangu’.  Ku mbërriti Adi Haka i cili më pas më dërgoi në spital.

Nga shtrati i spitalit ku ndodhej, Marklen Haka tha se nuk i njihte atentatorët e tij dhe se nuk kishte dyshime për asnjë emër të veçantë që mund të lidhej me motivet e ekzekutimit të tij. Ai rrëfeu për hetuesit se ishte kthyer në Shqipëri më 5 qershor 2023, vetëm tri ditë para se të ishte pre e sulmit me armë, informacion që duket se e kanë siguruar edhe kundërshtarët e tij.

Gjatë kësaj kohe, ai kishte qëndruar në Bruksel, por nuk dha shpjegime se cila ishte arsyeja e qëndrimit të tij në kryeqytetin belg, ku ishte rezident për vetëm dy javë. Lidhur me atentatin ndaj tij, u pyetën nga grupi hetues edhe persona të cilët mendoheshin se kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Një prej këtyre personave të pyetur ishte edhe Geraldo Haka, kushëri i Marklen Hakës, i cili ishte i pari që u njoh me atentatin që i ishte bërë të afërmit të tij dhe bëri shoqërimin e tij deri në Fushë Krujë, si dhe më tej në spitalin e Traumës në kryeqytet.

Geraldo Haka: Unë ndodhesha në lokalin tim pranë shkollës 9-vjeçare Nikël, kur kushëriri im Marklen Haka, më thirri me zë të lartë; ‘Merr makinën tënde dhe më ndiq, pasi më kanë qëlluar’. Sapo e pashë, e ndoqa nga pas Marklenin derisa parkoi makinën te kalçeto.
Aty ai më pas u ngjit në makinën time dhe jemi nisur për në spital. Gjatë rrugës Markleni më tha se nuk e di kush më ka qëlluar. Nuk folëm shumë gjatë, pasi ai kishte gjakderdhje nga goja, pasi kishte marrë një plumb në nofull.

Pas marrjes së dëshmisë së kushëririt të objektivit të atentatit, grupi hetues u kthye edhe njëherë në vendngjarje për të marrë thënie të reja, që mund të shërbenin për të zbardhur skenën e krimit. Një ndër këto persona ishte edhe Përparim Caca, pronari i lokalit përballë ku ndodhi ngjarja. Ai tregoi se i tmerruar, ishte më shumë i interesuar të fshihte kokën se sa të shikonte se çfarë po ndodhte jashtë apo kush ishin autorët.

Përparim Caca: Në momentin që dëgjova të shtëna me armë, unë u ndjeva i frikësuar dhe u futa poshtë banakut dhe nuk kam parë se çfarë ka ndodhur. Unë më pas dallova një plumb që kishte përshkuar xhamin e dritares së lokalit. Në momentin e ngjarjes, në ambjentin e brendshëm të lokalit nuk ka patur klientë. Ndërsa në verandë kanë qenë të ulur një djalë dhe një vajzë, të cilët sapo dëgjuan të shtënat u shtrinë përtokë.

I vetmi që mundi të shquajë diçka rreth identikitit të autorëve të krimit ishte Dritan Haka, kushëri me Marklen Hakën. Personi i cili i shpëtoi mrekullisht plumbave ndërsa po bëhej gati të ngjitej në makinën e të afërmit të tij. Gjatë momentit kur Marklen Haka ishte ndalur në kryqëzimin e fshatit Nikël, pas shenjës që kushëriri i tij i kishte bërë me dorë për ta marrë me vete në makinën e tij. Edhe pse në fillim Dritan Haka dha detaje interesante në lidhje me karakteristikat pamore të autorit që qëlloi ndaj kushëririt të tij, më vonë në dëshminë e tij para hetuesve, ai i tha këtyre të fundit se nuk i mbahej mend mirë portreti i atij që shkrehu armën.

Dritan Haka: Më datë 8 qershor 2022, rreth orës 14:00, isha duke qëndruar në këmbë në kryqëzimin e stacionit Nikël, me qëllim për të gjetur ndonjë makinë të rastit, për të shkuar në fshat. Gjatë kësaj kohe para këmbëve të mia ndaloi me makinën e tij, Marklen Haka, që është edhe djali i xhaxhait tim. Pikërisht në këtë moment, paralelisht me makinën e Marklenit pashë që u afrua edhe një automjet tjetër tip Audi, me ngjyrë të zezë, ku nga sedilja e pasagjerit u qëllua me armë zjarri në drejtim të makinës, ku ndodhej kushëriri im. Unë arrita ta dalloj personin që qëlloi. Ai nuk kishte maskë në fytyrë. Ishte brun dhe mendoj se duhet të jetë diku te rreth 40 vjeç.

Dritan Haka kujtoi më pas, se autorët, ndoshta të trembur, i drejtuan armën edhe atij, por nuk qëlluan më në vazhdim. Ai mundi të shikojë vetëm ndërsa ata morën rrugën nga kishin ardhur dhe u larguan të qetë në drejtim të rrugës Kamëz-Fushë Krujë për të humbur gjurmët edhe sot.

Dritan Haka: Unë arrita të shquaj vetëm faktin që mjeti i autorëve u kthye mbrapsht. Dhe në atë moment më drejtuan edhe mua armën. Nga sa pashë pas atentatit ata morën rrugën nacionale Kamëz-Fushë Krujë.

Pavarësisht deklarimit të tij të parë se ai arriti ta shikojë në sy një nga atentatorët, në dëshminë e tij të dytë dhënë për hetuesit, Dritan Haka u shfaq i mjegullt në lidhje me portretin e qitësit që për një moment desh i mori jetën edhe atij vetë.

Dosja Hetimore: Pavarësisht se Dritan Haka, thotë se e ka parë drejt e në sy personin që qëlloi mbi kushëririn e tij, Marklen Haka, në dëshminë e dytë, ai është tërhequr nga ky deklarim, duke thënë se nuk është në gjendje ta identifikojë përsëri këtë person. Ai po kështu thotë se nuk e ka fiksuar me çfarë arme është qëlluar, por ai që ka qenë armë e gjatë dhe jo pistoletë. Dhe të shtënat kanë qenë me breshëri dhe jo tek e tek.

Asgjë me rëndësi në dëshminë e saj nuk dha edhe një nga klientet e lokalit, përpara të cilit u luajt e gjithë skena e krimit, e cila atë ditë u përball bashkë me një të njohurën e saj, me momentet e frikshme. Por që për fatin e saj të mirë, plumbat e kursyen, ndërsa iu desh të kthehej e tronditur në banesë.

J.M:  Më datë 8 qershor 2022, në orën 07.00 kam dalë nga shtëpia ime që ndodhet në fshatin Mukje dhe kam shkuar në punë në një mobileri në fshatin Shelqet. Rreth orës 13:00 pasi mbylla punën u nisa për në kryqëzimin e Niklës dhe u ula në verandën e lokalit të shtetasit Pap Caca për të pirë kafe bashkë me një të njohurën time. Pak më vonë dëgjova krisma arme dhe të dyja u ulëm poshtë tavolinës. Pas ngjarjes, u largova në drejtim të shtëpisë në fshatin Mukje. Marklen Hakën nuk e njoh dhe nuk e kam parë ngjarjen sesi ndodhi dhe as autorët.

Deri në këtë pikë të hetimit, askush nuk i njihte autorët e atentatit, edhe pse kishin mundur ti shquanin portretet e tyre brenda makinës me të cilën tentuan të kryenin eleminimin e Marklen Hakës. Kjo sugjeron se qitësit më shumë gjasa nuk i përkisnin zonës përreth. Në lidhje me ngjarjen, grupi hetues u ndal edhe te makina e përdorur nga Marklen Haka ditën e ngjarjes, kur ra pre e plumbave. Nga kjo u konstatua se automjeti në përdorim të shënjestrës së atentatit ishte në pronësi të një shtetasi, me gjasa familjar i tij i afërt.

Dosja Hetimore: Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, është pyetur shtetasi Kurt Hidri. Ai ka deklaruar se automjetin që përdorej nga Marklen Haka me targa AB 728 CB, i përket përket shtetasit Agustin Haka, të cilit ia ka shitur para një viti dhe këtë gjë mund ta vërtetojë nëpërmjet aktit noterial që ka bërë te noteri.

Por në dëshminë e tij, Kurt Hidri, tha se nuk e njihte Marklen Hakën. Ndërsa me të vetmin person që kishte njohje ishte Agustin Haka, të cilit i kishte shitur edhe makinën. Megjithatë, dëshmia më interesante për grupin hetues ishte padyshim e vajzave me të cilat Marklen Haka konsumoi kafenë e fundit para se të binte pre e plumbave, veçanërisht e njërës prej tyre, e identifikuar me emrin Alketa.

Ajo kishte telefonuar Marklenin për të dalë nga banesa ku ndodhej në ngujim të plotë dhe për të pirë kafe me të. Policisë iu arrit të identifikojë shoqërinë e Marklen Hakës me dy vajzat përmes pamjeve filmike, si edhe të bizneseve në zonë, për të parë ndjekjen që i bëri më tej makina e vrasësve.

Alketa: Marklen Hakën e njoh prej shumë vitesh, pasi kam bashkëjetuar me vëllain e tij të ndjerë, Roland Haka. Atë ditë rreth orës 12.30 e kam takuar Marklenin së bashku me një shoqen time në një lokal pranë Tapizës. Pasi pimë kafe u larguam në dy drejtime të ndryshme. Ai drejt shtëpisë, ne për në Tiranë. Ngjarjen e kam mësuar përmes lajmeve.Por kjo dëshmi duket e cunguar në thëniet e saj.Pasi jo vetëm Alketa nuk tregon për qëllimin e takimit por mungon edhe dëshmia e shoqërueses së saj në tavolinë, atë ditë. Kush është kjo vajzë dhe pse grupi hetues nuk e ka marrë edhe dëshminë e saj. Dëshmi që mund të hedhë dritë, nëse vajzat u përdorën si karrem apo u ndoqën në lëvizjet e tyre, me qëllim që grupi i qitësve të binte në gjurmët e Marklen Hakës.

***

Që nga atentati i fundit ndaj tij në qershor të vitit 2022, thuhet se Marklen Haka nuk është bërë më fare i gjallë jashtë mureve të fortifikatës së tij, në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, njohur si VIP-i i krimit. Ai mendohet se kalon një jetë gati prej eremiti, të vetmuar brenda vilës së tij, ku gojët rreth e rrotull thonë se jeton bashkë me babain e tij të moshuar, në një historik të vrazhdë dhe gjakësor ku familja e madhe Haka është përfshirë.

Historia e hakmarrjes nuk duket të ketë lënë pa prekur as Marklen Hakan. Emri i tij fillimisht nis të lakohet për herë të parë në vitin 2011, kur ai akuzohet për vrasjen në qendër të kryeqytetit, në zonën e ish-Bllokut, të biznesmenit, Nadien Zeneli.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 qershorit të këtij viti në një nga baret më të frekuentuara të zonës, ku mbetën të plagosur rëndë shtetasit Taf Mandri dhe Bledar Miha. Marklen Haka u akuzua për këtë ngjarje, por nuk u dënua kurrë, edhe pse për të u ngritën dy akuza të rënda, të cilat më pas u rrëzuan. Në atë kohë, sipas prokurorisë, ai kreu krimin si një formë hakmarrje ndaj biznesmenit 32 vjeçar nga Bulqiza, për vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka.

Sipas prokurorisë familja Haka dyshonte se vrasës i djalit të tyre në vitin 2004, ishte Nadien Zeneli.

Prokuroria e Tiranës/ 2011: Vrasja e shtetasit Nadien Zeneli dyshohet të jetë bërë për motive gjakmarrje, pasi viktima dyshohej nga familja e shtetasit Marklen Haka si autor i vrasjes së shtetasit Roland Lutfi Haka, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004 në Krujë.

Por, ashtu siç u bë e ditur, Marklen Haka ia doli të rrëzojë pretendimet e Prokurorisë së Tiranës dhe tia dalë të mos vuajë asnjë ditë dënim për këtë ngjarje. Një nga vajzat dëshmitare e pranishme në atë moment në skenën e krimit identifikoi atë si vrasësin që qëlloi mbi biznesmenin dhe dy personat e tjerë që mbetën të plagosur. Ngjarja mbeti edhe më tej pa autor.

Kronikë/2011: Roland Haka, vëllai i Marklen Hakës, u vra mbrëmjen e datës 10 qershor 2004 teksa po darkonte me disa miq të tij në një lokal në Fushë-Krujë. Pasi dikush e telefonoi, ai u ngrit nga tavolina për të dalë më pas në pjesën e parkingut të lokalit. Në këtë moment, persona të paidentifikuar e qëlluan me breshëri automatike duke e lënë të vdekur në vend. Familja e Roland Hakës pati dyshime se ishte biznesmeni i kromit Nadien Zeneli ai që i kishte telefonuar Roland Hakës për ta nxjerrë në pritë. Zeneli kishte njohje të mëparshme me Roland Hakën për shkak se ai ishte i martuar me një vajzë nga fisi Haka.
Në vitin 2004 Marklen Haka, ishte vetëm 13 vjeç.

Por kjo ngjarje ishte vetëm fillimi i një sërë episodesh dramatike dhe tragjike që do të përndiqnin Marklen Hakën në jetën e tij. Ngjarje të tilla do të shoqëroheshin në vazhdim me humbje të tjera të rënda brenda familjes së tij, por edhe me prita të armatosura ku këtë herë shënjestër do të ishte ai vetë. Atentati i parë ndodhi në derën e banesës së tij në fshatin Zezë të Fushë-Krujës, natën e 21 shtatorit 2019, ku një togë qitësish qëlluan pa mëshirë ndaj pjesëtarëve të familjes Haka.

Në këtë ngjarje, Marklen Haka mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Ndërsa atje, ai u prit me dy makina luksoze, njëri prej tyre identifikohet si Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një personazh i fortë në Nikël. Por, ajo që bëri edhe më të rëndë atentatin ndaj Marklen Hakës ishte humbja e jetës së hallës së tij, Shpresa Basha. Ajo u qëllua në derën e banesës dhe humbi jetën si pasojë e plumbave në Spitalin e Traumës, vetëm pak minuta pasi kishte mbërritur aty.

Raporti policor: Më datë 21 shtator 2019, është njoftuar salla operative se në fshatin Zezë, Nikël, janë plagosur Marklen Haka dhe halla e tij Shpresa Basha, e cila më vonë nga plagët e marra ka gjetur vdekjen në spital. Banesa e Marklen Hakës është një banesë dykatëshe, e rrethuar me mure dhe me portë metalike dy kanatëshe, ndërsa ajo njëkanatëshe ndodhet në drejtim të krahut jugor. Në sheshin përpara portës, që të nxjerr në rrugën e asfaltuar që lidh fshatin Nikël me lagjen Zezë, gjithashtu dhe një shesh që ndodhet në anën perëndimore të asfaltit janë gjetur gjithsej 85 gëzhoja model 56 kalibri 7.62 mm.

Ishte e qartë edhe nga furia e plumbave të derdhur, ashpërsia me të cilën autorët kundërvepruan ndaj Marklen Hakës. Atë mbrëmje, sipas dosjes hetimore, Marklen Haka mbërriti në banesën e tij rreth orës 21:00. Por kur dukej se gjithçka po shkonte normalisht, kushëriri i tij e njoftoi për disa lëvizje të dyshimta rreth banesave të tyre, lëvizje të cilat ishin konstatuar edhe një natë para krimit.

Siç rezulton nga hetimi, mënjëherë pasi dëgjuan zhurmat që vinin nga lumi, kushëriri dhe nipi i Marklen Hakës dolën me elektrikë në duar për të kontrolluar perimetrin e zonës përreth. Në këtë moment, Markleni dhe halla e tij, Shpresa Basha, doli jashtë. Por, 3 persona të armatosur filluan të hapin zjarr drejt tyre.

Marklen Haka: Më datë 21 shtator 2019, kam shkuar rreth orës 21.00 në shtëpi, ku kishin ardhur për vizitë motra ime dhe halla Shpresa Basha. Kemi qëndruar të gjithë së bashku për darkë, aty ishte dhe djali i xhaxhait tim Egustian Haka. Gusti doli për të parë ndeshjen Inter-Milan. Ai është kthyer rreth orës 23.00, dhe ka parkuar automjetin para shtëpisë time.
Erdhi tek unë dhe më tha se tek skarpati e lumit, kishte dëgjuar zhurmë. Më ka thënë hajde të dalim të shikojmë njëherë. I kam thënë Gustit dhe nipit Ervis Basha të marrin nga një elektrik dhe të kontrollonim skarpatin e lumit. Të dy kemi dalë nga banesa duke kontrolluar, ndërsa unë me hallën Shpresën kemi dalë tek porta kryesore. I kam thënë Shpresës të kthehet në shtëpi, por ajo nuk më dëgjoi. Pasi kam bërë 4-5 hapa nga porta kryesore, kam dëgjuar breshëri automatiku, teksa po qëllohej drejt meje. Kam ndjerë që u plagosa te krahu i djathtë.

Ndërsa mendohet se plumbat dhe atentatet ndaj Marklen Hakës do të ndaleshin këtu, vetëm disa vite më pas, ai pësoi një herë të dytë ekspozimin ndaj një prite të armatosur. Kjo ndodhi tri vite më vonë, në muajin qershor të vitit 2023, në hyrje të fshatit Nikël, vetëm pak çaste pasi kishte dalë nga strofka e tij. Përpara këtij episodi të radhës të dhunshëm, Marklen Haka ishte arrestuar bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes, gjatë një kontrolli të befasishëm të policisë. Gjatë kontrollit, u zbulua se ai mbante një armë zjarri pa leje dhe u arrestua ndërsa tentoi të fshihej pas një divani.

Dosja Hetimore: Nga aktet e përfshira në fashikullin e gjykimit të kësaj çështje, ka rezultuar se më datë 6 Janar 2022, rreth orës 19.00 në fshatin Nikël, Bashkia Krujë, më konkretisht tek Kalçeto e shtetasit Ylli Çangu, nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, është bërë kontroll dhe janë kapur në flagrancë disa shtetas.
Midis shtetasve të ndaluar është edhe Marklen Lutfi (Aliu) Haka.
Nga aktet, rezulton se ky shtetas pasi është kapur në flagrancë, sapo ka parë shërbimet e policisë është larguar me vrap dhe është kapur në katin e dytë të objektit, brenda një dhome të lokalit të fshehur mbas një divani.
Nga kontrolli i ushtruar, pranë tij është gjetur një kuti me ngjyrë të verdhë me mbishkrimin OZKURSAN 922 Cal. 9 mm P.A.K, brenda së cilës ndodheshin 44 fishekë me ngjyrë gri, si dhe një telefon i markës ‘Iphone me këllëf ngjyrë kafe’, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës material dhe u kryen vendimet përkatëse.

Sipas policisë bashkë me Marklen Hakën në momentin e arrestimit u ndaluan edhe disa persona të tjerë, miq dhe shokë të tij, edhe këta, disa të armatosur. Vetë Marklen Haka i tha policisë se ai nuk kishte lidhje me armën që iu gjet në momentin e ndalimit.

Dosja Hetimore: Nga ana e policisë gjyqësore u pyet në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet edhe shtetasi Marklen Haka.
Gjatë marrjes në pyetje ai deklaroi se më datë 6 Janar 2022, ai ka dalë pasdite te lokali i YIli Çangut dhe ka qëndruar në kafe, te tavolinat brenda lokalit, ku kishte dhe persona të tjerë.
Ai po kështu deklaroi se është ulur i vetëm në tavolinë, ku rreth orës 17.30 ka ardhur policia për kontroll. Marklen Haka, tha se nuk e ka kundërshtuar policinë dhe se gjatë kontrollit nuk i është gjetur asgjë e paligjshme. Dhe se fishekët nuk janë të tijat. Pasi ato nuk i janë gjetur atij, por në ambientet e lokalit ku po pinte kafe, në katin e dytë dhe se ai nuk e di se të kujt mund të jenë.

Sikurse kishte mundur tia hidhte më herët drejtësisë, Marklen Haka mundi edhe këtë herë në këtë episod t’i shpëtonte qelisë. Ai u la në masën e arrestit shtëpiak, aty ku duhet të ishte edhe ditën kur la banesën e tij dhe doli për kafe, duke rënë më pas pre e atentatit më qershor 2022.

Dosja Hetimore:  Prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesë me objekt vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të kryer nga policia gjyqësore dhe caktimin ndaj personave nën hetim Zenel Haka dhe Gazmir Haka të masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’ dhe ‘arrest në shtëpi’ ndaj shtetasit Marklen Haka.

Megjithatë Marklen Haka nuk duket të ketë qenë thjesht një objektiv hakmarrje ndaj familjarëve të tij të përfshirë në kohë të ndryshme në ngjarje të rënda kriminale. Policisë dhe prokurorisë gjithmonë kanë pasur dyshimet e tyre se ai vetë është i implikuar në ngjarje të ndryshme, të cilat më pas e kanë përndjekur si hije dhe kanë sjellë për pasojë edhe nevojën e kundërshtarëve për eliminimin e tij fizik.

Bardhok Pllanaj, i konsideruar si kumbari i drogës veri të vendit, ishte i lidhur me grupin të fortëve të Niklës. Ai u ekzekutua më 4 prill 2021 në lagjen Dobraç të Shkodrës nga një togë e vogël qitësish, kur sapo kishte lënë bashkëshorten e tij në banesë, ndërsa sapo ishte kthyer nga një vizitë në spital te nëna e tij e sëmurë dhe po merrte rrugën për në Malësinë e Madhe. Edhe pse krimi mbeti pa autor, prokuroria në atë kohë mori në përgjim shumë personazhe të njohur të krimit, midis tyre edhe të fshatit Nikël në Fushë-Krujë. Një ndër këto personazhe që u vendos në përgjim ishte edhe Marklen Haka.

Dosja Hetimore Me qëllim përftmin e të dhënave me vlerë janë marrë dhe dërguar në përgjim disa numra telefoni të cilët janë lidhje e viktimës.
Nga përgjimi i të cilëve mendohet se mund të përfitohen biseda me interes për hetimin.
Përkatësisht janë përgjuar bisedat e Marklen Hakas, Kujtim Markut, Orlando Pllanaj, Eugers, Elhad dhe Erol Hyseni, Gëzim Cafit, Dorjan Dulit dhe Mehdi Ivzikut.
Por paralelisht me përgjimin ambiental të këtyre personave, grupi hetues mori në pyetje edhe dëshmitarë në vendngjarje, të cilët mund të jepnin detaje të rëndësishme mbi atë çfarë mund të kishin parë.

Pra, siç shikohet, Marklen Haka ishte një ndër personat që kishte lidhje me kumbarin e vrarë të drogës, Bardhok Pllanaj. Ndërkohë që Bardhok Pllanaj ishte në hetim edhe për episodin e dështuar të transportit të drogës nëpërmjet Lagunës së Vilunit, ku bashkëpunoi me Indrit Rrajën, një personazh tjetër i krimit me banim në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, dhe kishte edhe lidhje miqësore me Marklen Hakën. Indrit Rraja, i cili shoqëroi Marklen Hakën drejt Spitalit të Traumës në Tiranë pas atentatit në shtator të vitit 2019, ishte ndër personat e parë që shërbyen si urë lidhëse midis një grupi prodhuesish narkotikësh nga Vlora dhe atyre italian, në Operacionin e Lagunës së Vilunit.

Pllanaj, thuhej se ishte ndërlidhësi i tonelatave me drogë që po bëheshin gati të niseshin drejt Italisë, përmes dijenisë dhe territorit të të fortëve të Fushë-Krujës, për të cilën Marklen Haka ruante miqësi të konsoliduar me Indrit Rrajën. Megjithatë, nuk është bërë e qartë roli i Marklen Hakës në këtë marrëdhënie të Rrajës me Bardhok Pllanaj ose me trafikun e drogës. Ndërkohë, dihet se Marklen Haka ruante miqësi edhe me vëllezërit Durim dhe Valter Bami.

Fërkimet midis Marklen Hakës dhe Bamëve nga ana tjetër nisën pas atentatit, kur Marklen Haka dyshoi se ai ishte tradhëtuar nga brenda grupit të tij. Përplasjet filluan pas ekzekutimit të Aleksandër Ndokës në Lezhë, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, në dhjetor të vitit 2017. Marklen Haka ishte një nga personat e dyshuar për këtë ngjarje, që shërbeu si prelud për pakënaqësinë e tij me vëllezërit Bami. Miqësia mes tyre u prish më vonë dhe tani ata janë armiq të përbetuar.

Gjithashtu, duket se Marklen Haka u kthye në armik edhe me Gentjan Bejtjen, një tjetër eskponent i krimit në Fushë-Krujë. Gentjan Bejtja ishte i pranishëm në një lokal në Fushë-Krujë në shkurt të vitit 2013, kur u rrëmbye Enver Stafuka. Një atentat në korrik të vitit 2023, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ndaj makinës me të cilën udhëtonin fëmijët e Gentjan Bejtjes, tregoi përplasjet e forta brenda grupit të ‘Të fortëve’ të Niklës, ku Ramazan Sino, kunati i tij, u vra. Gentjan Bejtja kishte shkëputur marrëdhëniet me Bamët dhe edhe me Marklen Hakën, duke refuzuar ballafaqimin me ta në varrimin e mikut të tij të vrarë, biznesmenit Iljas Çali. Ai është thirrur për të dhënë dëshmi në polici dhe dyshohet se është një nga organizatorët e atentatit ndaj Marklen Hakës, duke ndarë një urrejtje të gjatë me të.

/Emisioni “Në Shënjestër”