Lejuan ndërtime të paligjshme në Shirokë, Prokuroria e Shkodrës dërgon për gjykim 9 zyrtarë të IMT-së dhe Kadastrës…

Share your love

Prokuroria e Shkodrës dërgoi për gjykim 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Punonjësit e IMT Shkodër, Ergys Karrametaj dhe Mirsad Hallunaj, akuzohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin, kanë lejuar ndërtimin në mënyrë të paligjshme të një objekti dy-katësh në zonën e Shirokës, duke mos e evidentuar dhe kallëzuar në prokurori, edhe pse provohet se kanë pasur dijeni të plotë për të.

Ndërkohë, punonjësit e Kadastrës së Shkodrës, Ardian Dodani, Besmir Lekaj, Erleta Bala, Fatjon Tahiri, Iira Shqarri, Suad Smakaj dhe Besmir Vukaj, akuzohen se kanë mundësuar legalizimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje në të njëjtën zonë, ku ndërkohë, për shkak të statusit dhe mbrojtjes së veçantë, legalizimi i objekteve informale në këtë zonë, është i ndaluar me ligj.

Kallëzimi në prokurori ndaj punonjësve të IMT Shkodër është bërë nga një grua, e cila pasi ka konstatuar ndërtimin e paligjshëm të një objekti dy-katësh që ndërtohej në një sipërfaqe toke të pretenduar si në pronësi të familjes së saj. Sipas saj punonjësit e IMT-së nuk kishin marrë masa për pengimin e ndërtimit edhe pse ishin njoftuar vazhdimisht nga ajo.

Nga hetimet e kryera, rezultoi se Ergys Karrametaj dhe Mirsad Hallunaj, inspektorë pranë IMT-së Shkodër, edhe pse ishin njoftuar për kryerjen e ndërtimit të paligjshëm dhe ishin ngarkuar për verifikimin e ankesave të kallëzueses, pasi kanë shkuar në terren, nuk e kanë evidentuar këtë fakt në një procesverbal konstatimi, duke raportuar se nuk ishte konstatuar asnjë ndërtim i ri, në një kohë kur nga këqyrja e bërë nga ana e policisë gjyqësore, është provuar ndërtimi i këtij objekti të ri.

Madje, për ndërtimin e paligjshëm të këtij objekti është dënuar me vendim të formës së prerë edhe ndërtuesja. Nga hetimi lidhur me legalizimin e objektit në fjalë, por edhe të 9 rasteve të tjera të legalizimit të objekteve informale po në Shirokë, rezultoi se procedura e legalizimit të tyre është kryer në kundërshtim me ligjin.

Për këtë u morën të pandehur edhe punonjësit e ASHK-së, Ardian Dodani, Besmir Lekaj, Erleta Bala, Fatjon Tahiri, Iira Shqarri, Suad Smakaj dhe Besmir Vukaj, me detyrë specialistë dhe përgjegjës të sektorit të legalizimeve, gjatë kohës që janë kryer procedura./Shqiptarja.com/

Share your love