“Lulëzon” tregu i makinave në Shqipëri – Regjistrohen 47% më shumë se vjet. Importi i mjeteve të transportit, rekord në mars…

Përgjatë tremujorit të parë të këtij viti numri i automjeteve në Shqipëri u rrit me 47%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në harkun kohor të tre muajve janë regjistruar për herë të parë 21,265 mjete nga 14,460 mjete të regjistruara në përiudhën janar-mars të vitit 2023.

Numri më i lartë i regjistrimeve për herë të parë rezultoi në muajin mars duke u rritur me 41%, krahasuar me një vit më parë.

Por cili shtet na ka furnizuar me mjete gjatë këtyre tre muajve të parë të vitit? Sipas të dhënave të DPSHTRR, tre shtetet kryesore të origjinës së mjeteve janë Gjermania, Italia dhe Koreja. Nga totali i mjeteve të regjistruara për herë të parë, rreth 18 mijë prej tyre janë autovetura.

Vitet e findit Shqipëria po motorizohet gjithmonë e më shumë dhe numri i automjeteve është rritur nga viti në vit. Aktualisht regjistrohen gjithsej 887,321 mjete aktive në qarkullim ose të çregjistruara përkohësisht.

“Scan Intel” ka analizuar në detaje disa nga kapitujt sa i përket tregtisë së jashtme për muajin mars të këtij viti. Sipas shifrave të përpunuara shohim se grupi “Mjetet e transportit të ndryshëm nga vagonat e hekurudhës” kanë prekur rekord historik të importit. Përgjatë muajit mars vlera e importit për këtë kapitull vlerësohet në 8.2 miliardë lekë ose rreth 81 milionë euro. Kjo vlerë është 48% më e lartë se në të njejtin muaj të një viti më parë.

Theksojmë se vlera e muajit mars të këtij viti është më e larta që nga muaji janar i vitit 2005. Por çfarë vihet re nga të dhënat mbi trendin që ka ndjekur shifra e importeve për këtë zë. Nisur nga të dhënat zyrtare të “INSTAT” shohim se muaji i dytë me vlerën më të madhe është shkurti i po të njetit vit. Viti që lamë dhe viti aktual duket se kanë thyer rekord të importit sa i përket mjeteve të transportit.

Nëse analizën për këtë zë e shtrijmë me bazë vjetore shohim se viti 2023, vit më të dhëna të plota, regjistron nivel importesh deri në 76 miliardë lekë, një rritje me 39%, krahasuar me vitin 2022.

Xhorxhina Deda/SCAN