Muriqan/ Arrestohen tre shtetas Turq, tentuan të kalonin me pasaporta false…

Share your love

PKK Muriqan/Kontrolle intensive, bazuar dhe në analizën e riskut, për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë.

Tentuan të dilnin nga Shqipëria, duke përdorur pasaporta të shtetasve të tjerë (me përshtatje), vihen në pranga 2 shtetas turq.

Në pranga dhe 1 tjetër shtetas turk, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sekuestrohen 2 pasaportat turke dhe automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas.

Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur krimet kufitare, bazuar dhe në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit, në dalje, kryen verifikime të detajuara të dokumentacionit të shtetasve turq R. Y., 38 vjeç dhe H. S., 36 vjeç, të cilët ishin pasagjerë në një automjet të marrë me qira nga shtetasi turk O. O., 25 vjeç, banues në Poloni.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasit R. Y dhe H. S. posedonin pasaporta turke të shtetasve të tjerë (me përshtatje), me qëllim kalimin e kufirit, në kundërshtim me ligjin. Këta 2 shtetas u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Gjithashtu në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua dhe shtetasi O. O., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Share your love